Sveçla vjen një lajm fantastik për shtetasit e Shqipërisë që punojnë në Kosovë (Vendimi)

Sveçla vjen një lajm fantastik për shtetasit e Shqipërisë që punojnë në Kosovë (Vendimi)

08:05, 08/05/2021

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka publikuar vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me lirimin për pajisje me leje pune afatshkurtër për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

“Qeveria e Kosovës, me propozimin tim mori vendimin me të cilin shtetasit e Shqipërisë lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër. Ky Vendim është në frymën e programeve dhe aspiratave të shprehura të subjekteve politike që fituan zgjedhjet dhe krijuan qeverinë legjitime me mbështetjen e shumicës absolute në 14 shkurt”, ka thënë Sveçla.

“Është vetëm një hap, por megjithatë i domosdoshëm, drejt realizimit të interesave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, në kuadër të premtimit tonë për realizimin e përshpejtuar të gjithë marrëveshjeve të lidhura nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk ka asnjë arsye të mbesin vetëm në letër”.

Ai ka pohuar se Shqipëria prej kohësh e ka zbatuar këtë marrëveshje, në përfitim të shtetasve të Kosovës që punojnë në Shqipëri, ndërsa e ka vlerësuar se turpërues faktin se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen dhe nuk e ka lehtësuar veprimtarinë e shtetasve të Shqipërisë në Kosovë.

“Po ashtu, Vendimi është në frymën e avancimit të bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe ka për qëllim që të lehtësojë mobilitetin në punë, duke thjeshtësuar, brenda autorizimeve ligjore, procedurat administrative në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për qëllim të qasjes së lirë në tregun e punës nga të gjithë shtetasit tanë, kudo që vendosin të punojnë në të dyja shtetet”.

“Me këtë krijohet një treg më i madh pune, më shumë mundësi dhe lehtësi për punëdhënësit e punëkërkuesit nga Kosova e nga Shqipëria, dhe forcon ekonomitë e shoqëritë tona”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco