Kosova mund të paguajë çmim të lartë me COVID-19, paralajmërojnë ekspertët austriakë

Kosova mund të paguajë çmim të lartë me COVID-19, paralajmërojnë ekspertët austriakë

10:11, 30/11/2021

Stefan Thurner dhe Peter Klimek, dy ekspertë austriakë shëndetësorë, kanë treguar rreziqet me të cilat mund të përballet Kosova në luftën e saj me COVID-19, edhe pse aktualisht është ndër vendet me rezultatet më të pakta të rasteve të reja.

Në një shkrim të “DerStandard” në Austri për infektimet ditore, Kosova vlerësohet se ka numër tejet të vogël të rasteve të reja, por se rreziqet janë që nëse s’përcillet me masat e duhura gjithçka mund të përmbyset.

Teksa Kosova vazhdimisht po i ka më pak se dhjetë raste të reja ditore, vendet fqinje po kalojnë me shifra të larta treshifrore të rasteve. Sipas “DerStadard”, përqindja e ulët e rezultateve pozitive mund të jetë indikacion se vala e katërt tashmë është kaluar në Kosovë.

 

Sipas ekspertëve, situata në Kosovë sinjalizon imunitetin e tufës.

“Kur ka një valë të madhe, për periudhë të shkurtër kohore, po ashtu ka shumë njerëz që janë rikuperuar dhe më pas rritje e konsiderueshme e numrit të njerëzve që kanë mbrojtje efektive imunitare”, ka thënë Klimek.

Megjithatë, kjo s’nënkupton aspak që kriza në Kosovë ka përfunduar.

“Nëse hyn në një infektim të shpejtë, do të kesh pushim disa javë apo muaj. Nuk është që sapo të kesh imunitet të tufës, çështja zgjidhet. Duhet të vazhdohet me imunitet të lartë”, ka shtuar ai.

Kjo, sipas tij, sepse ata që janë rikuperuar do të riinfektohen herët a vonë dhe rreziku që të humbin mbrojtjen imunitare në të njëjtën kohë është i lartë.

Këtu hyn në punë vaksinimi. Deri tash në Kosovë janë administruar mbi 1.6 milionë doza të vaksinave anti-COVID. 761 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat. Me shifra të larta ditore të vaksinimit vendi u përcoll në fund të verës, kur edhe regjistroi shifra të rënda të vdekjeve e rasteve të reja me COVID-19.

Siç thotë Thurner, për të mos humbur mbrojtjen, në Kosovë ose duhet të ketë shumë vaksinime, ose do të ketë infektime. Por e dyta vjen me çmimin e lartë: Më shumë vdekje. Shembulli i Kosovës në këtë drejtim është i qartë. Vetëm në shtator pati më shumë se 400 të vdekur nga COVID-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco