Bota në betejë për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron

Bota në betejë për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron

16:29, 27/11/2021

Një zyrtar i lartë shëndetësor në Britani të Madhe ka tërhequr vërejtjen se vaksinat “padyshim” se do të jenë më pak efektive ndaj këtij varianti. Profesori James Naismith, biolog nga Universiteti i Oksfordit, ka thënë se varianti i ri është lajm i keq, por jo fundi i botës

Shtetet rreth botës kanë nisur të vendosin masa të udhëtimeve ndaj shteteve afrikane me qëllim që të parandalojnë përhapjen e variantit të ri të COVID-19, të quajtur Omicron.

Vendimi i shteteve është marrë vetëm një ditë pasi zyrtarisht Organizata Botërore e Shëndetësisë i dha emrin Omicron. Të dhënat e para tregojnë se ky variant ka potencial që të riinfektojë njerëzit, ka bërë të ditur OBSH-ja të shtunën.

Ndërkohë, qindra udhëtarë që kanë arritur në Amsterdam të Holandës nga Afrika e Jugut janë testuar për variantin e ri.

 

61 udhëtarë kanë rezultuar pozitivë dhe janë karantinuar në një hotel në afërsi të aeroportit. Zyrtarët holandezë kanë bërë të ditur se ata do t’u nënshtrohen testeve të tjera. Holanda në javët e fundit është përballur me numër rekord të rasteve me koronavirus. Një izolim i pjesërishëm do të nisë prej së dielës.

Varianti i ri Omicron është raportuar së pari nga Afrika e Jugut më 24 nëntor. Ky variant është konfirmuar në Botswana, Belgjikë, Hong-Kong dhe Izrael.

Raste të dyshimta për këtë variant janë raportuar të shtunën në Gjermani dhe në Republikën Çeke. Një zyrtar i qytetit gjerman, Hesse, ka thënë se varianti i ri ka arritur në Gjermani me udhëtarët që janë kthyer nga Afrika e Jugut.

Udhëtarëve nga Afrika e Jugut, Namibia, Zimbabveja, Botswana, Lesotho dhe Eswatini, nuk do t’u lejohet hyrja në Britani të Madhe përveç nëse janë shtetas britanikë ose banorë të Britanisë.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se fluturimet nga Afrika e Jugut, Botswana, Zimbabve, Namibia, Lesotho, Eswatini, Mozambiku dhe Malawi, do të bllokohen, duke reflektuar në vendimet e mëhershme të marra nga Bashkimi Evropian. Krejt këto vendime do të hyjnë në fuqi të hënën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i rasteve me variantin që fillimisht u quajt B.1.1.529, është në krejt provincat e Afrikës së Jugut.

“Ky variant ka një numër të mutacioneve, disa prej të cilave janë goxha shqetësuese”, thuhej në njoftimin e OBSH-së.

OBSH-ja ka thënë se rasti i parë është vërejtur më 9 nëntor në shtetin afrikan. Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë se do të duhet së paku dy javë për të kuptuar rrezikun e variantit të ri pasi shkencëtarët janë duke punuar rreth zbulimit se sa i transmetueshëm është ky variant.

Një zyrtar i lartë shëndetësor në Britani të Madhe ka tërhequr vërejtjen se vaksinat “padyshim” do të jenë më pak efektive ndaj këtij varianti. Profesori James Naismith, biolog nga Universiteti i Oksfordit, ka thënë se varianti i ri është lajm i keq, por jo fundi i botës.

Doktori Mike Tildesley nga Britania e Madhe ka thënë se vetëm 24 për qind e popullsisë së Afrikës së Jugut janë të vaksinuar plotësisht. Sipas tij, kjo do të nxisë përhapjen e shpejtë të rasteve me variantin e ri.

Ndërkaq, eksperti amerikan Anthony Fauci ka thënë se është ende e mundur të vaksinat të jenë efektive dhe të parandalojnë përkeqësimin e gjendjes nga varianti i ri i koronavirusit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco