COVID 19/ Kalo: Kujdes kolegë mjekë me përdorimin e antibiotikëve dhe kortikosteroideve

COVID 19/ Kalo: Kujdes kolegë mjekë me përdorimin e antibiotikëve dhe kortikosteroideve

11:23, 06/09/2021

Nga Prof. Dr. Tritan Kalo.

Nga observimet epidemiologjiko-kliniko-biologjiko-imazherike të të infektuarve nga virusi Sars-Cov2/Covid-19, qartazi shihet se varianti Alpha i tij ende prek jo pak të sëmurë, krahas përhapjes si vaji në lakra të variantit Delta apo varianteve të tjera të këtij virusi jetëlëndues e jetëmarrës.

Shtimi i numrit të të sëmurëve në popullatën e gjerë sidomos në atë ende të pavaksinuar, mundet t’i vihet si barrë variantit Delta që po dominon kudo tablonë epidemiologjike të pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19, por agresiviteti në ecurinë dhe në përfundimin fatal të shumë të sëmurëve këto javët e fundit, qartazi lidhet edhe me “një rizgjim” të aktivitetit dhe lëndimeve të shkaktuara nga variantet e mëparshme të këtij virusi.

Kurrë nuk duhen nënvlerësuar masat e treguara të vlefshme ndër shekuj, në pakësimin e mundësisë së përhapjes së viruseve aerogenë MHD (Maskë në mjediset e mbyllura e të mbipopulluara - Higjienë personale e kolektive si dhe  Distancim fizik aty dhe kur është e mundshme të realizohet).

Vaksinimi në ndihmesë të masave të mësipërme dhe imunizimi natyral pas kalimit të Covid-19, së bashku me masat e mësipërme si dhe me rindezjen e motorit të fikur të vetëndërgjegjësimit me siguri do na ndihmojë në kapërcimin e kësaj pengese të re në udhën e fitimit të betejës me “këtë armik të padukshëm”.

Kujdes kolegë mjekë apo farmacistë me përdorimin e parakohshëm ose të pavend të antibiotikëve/antibakterialëve dhe kortikosteroideve shpesh në doza të larta dhe kohëzgjatje marramendëse.

Përpos antibiorezistencës së mikroorganizmave qarkulluese, të cilat mundet t’i mbivendosen një infeksioni viral si Sars-Cov2/Covid-19 ose virozave të tjera stinore, të nxitur nga përdorimi vënd e pavend i antibakterialëve/antibiotikëve, një rol negativ në përgjigjen imunitare të organizmizt ndaj kësaj “flame mbarëbotërore”, po luajnë dhënia e dozave të larta të kortikosteroideve (mbi 1 mg për kilogrampeshë të cilat janë doza imunosupresore), qysh me dyshimin e infeksionit në fjalë dhe në kohëzgjatje të pa justifikueshme.

Studimi i fundit i ISHP-së qartazi shprehet se “nga 1500 të sëmurët e përfshirë në studim vetëm 54% e tyre kanë krijuar imunitet pas kalimit të Covid-19, pikërisht për shkak të përdorimit të kortikoideve me doza të larta, që në fillimet e sëmundjes.” (Dr. B. Malaj e bashkp.)

Po ashtu “mozaiku i antiviralëve” të përshkruar në trajtimin e të sëmurëve me Sars-Cov2 si Favira, Tamiflu, Remdesivir, Truvada, etj. apo i antiparazitarit Ivermectin, nuk kanë treguar asnjë dobiprurje sinjifikative në ecurinë e rasteve, përkundrazi….

Kurrë nuk është vonë të nxjerim mësime nga gabimet e mundshme të bëra në përballjen me pandeminë e Sars-Cov2/Covid-19.

Dëgjoni më me kujdes këshillat e profesionistëve të fushës, dhe më pak vesh e mëndjehapur ndaj gjithollogëve, të cilët fatkeqësisht po gëlojnë shumë këto muajt e pandemisë…. Vjeshta e vonë dhe dimri “do të hedhin në tregun e virozave të stinës” viruse të tjerë respiratorë sidomos viruset e gripit stinor, të cilët edhe ata do shkaktojnë jetëlëndimet dhe jetëmarrjet e tyre.

Ndaj masat për paksimimin e mundësisë së përhapjes së Sars-Cov2/Covid-19:

Vetndërgjegjësim, Maskë-Higjienë-Distancim, vaksnim (ndaj gripit në këtë rast, përpos vaksinimit ndaj Sars-Cov2), do jenë po aq të dobishme edhe ndaj këtyre virozave stinore.

Ne të gjithë ishim, jemi dhe do të vijojmë të jemi si kurdoherë këtu në vijën e parë të përballjes me virusin jetëlëndues dhe jetëmarrës të Sars-Cov2/Covid-19.

Përkujdesi, puna dhe profesionalizmi ynë do të jenë gjithmonë në shërbimin tuaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco