Në Kosovë po bëhen teste fiktive për COVID-19, po dëmtohen laboratorët e licencuar

Në Kosovë po bëhen teste fiktive për COVID-19, po dëmtohen laboratorët e licencuar

11:39, 22/03/2021

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, më saktësisht nga periudha kur janë licencuar laboratorët privatë në vend për të kryer testime PCR për COVID-19, keqpërdorimi me teste ka qenë i përfolur shumë në opinion.

Si pasojë e këtyre dyshimeve disa vende në Evropë patën vendosur të mos i pranojnë testet PCR nga Kosova.

Një rast i falsifikimit të dokumenteve për teste PCR për COVID-19 ka ndodhur ditë më parë, ku pronari i një laboratori privat në Prishtinë e ka raportuar rastin në Polici.

“Ankuesi kosovar, pronar i një laboratori, ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar është duke falsifikuar testet për COVID-19, duke përdorur emrin e laboratorit të tij. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka thënë Policia në raportin 24-orësh të së shtunës.

Dyshohet se i arrestuari kishte falsifikuar teste për COVID-19, duke ua shitur ato qytetarëve që udhëtonin jashtë vendit.

Pronari i laboratorit të dëmtuar në këtë rast, “Olive”, Fatmir Sejdiu, në një prononcim për “Infokusin”, ka thënë se deri te zbulimi i këtij rasti ka ardhur kur një pronar i një kompanie në Gjermani kishte shkuar për t’u ankuar në laboratorin e tij.

Ai i ka njoftuar punonjësit e laboratorit se disa punëtorë shqiptarë që punonin për kompaninë e tij kishin rënë pre e këtij falsifikimi dhe me të shkuar atje ata kishin rezultuar pozitivë me COVID-19. Për pasojë kompania atje ishte mbyllur dhe pronarit i ishin shkaktuar dëme mbi 100 mijë euro, sipas “Infokusit”.

Ai ishte ankuar te laboratori në fjalë për këtë keqpërdorim, ndërsa punonjësit e laboratorit e kishin vërejtur menjëherë se as dokumentacioni i testit e as vula nuk janë të tyret, por as pacientët në ato teste nuk ishin pacientë të tyre.

Menjëherë pas kësaj është njoftuar Policia dhe kësisoj ka ardhur deri te zbulimi i së vërtetës dhe për pasojë një person ka përfunduar në pranga.

Edhe në janar të këtij viti Policia në rajonin e Pejës pati njoftuar se kishte arrestuar një burrë dhe një grua nën dyshimet se kishin falsifikuar dokumente.

Në bazë të njoftimit, dyshohej se të arrestuarit kishin furnizuar qytetarët me dokumente të testit anti-COVID-19.

Njësitet relevante policore në vendin e ngjarjes kishin konfiskuar tre telefona mobilë dhe dy shtëpiza kompjuteri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco