Rrëfimi emocional i gazetarës pas infektimit me COVID: Kishte net që mendoja se janë të fundit për mua

Rrëfimi emocional i gazetarës pas infektimit me COVID: Kishte net që mendoja se janë të fundit për mua

19:02, 21/03/2021

Gazetarja Jehona Zhitia ka rrëfyer për përvojën e saj pas infektimit me COVID-19.
Ajo ka thënë se e gjitha filloi me raportimin e saj lidhur me rastet e para të COVID-19 në vend.

Zhitia ka thënë se ishte marsi i 2020-s ku redaktori i kishte kërkuar të bënte kronikë për COVID-19 dhe ajo si me shaka ia kishte kthyer se larg është që virusi të vinte në Kosovë. Porse ajo thotë se hulumtimin e kishte nisur për të parë se sa është e përgatitur Kosova për të përballuar një pandemi të tillë.

Zhitia ka thënë se në fund të muajit shkurt kur kishin ardhur rastet e dyshimta, stafi shëndetësor nuk hezitonte të tregonte se do ta kenë të vështirë të përballen me një gjendje të tillë.

“Ne kemi raportuar gjithmonë për mungesë stafi e aparaturash, mungesë të specializimeve dhe gjithçka krijonte një situatë, ku të gjithë ne ishim në ankth se si do të raportonim. Frika u rrit kur u konfirmuan tri rastet e para. Me 13 mars IKSHPK-ja veçse i konfirmoi. E pash që nisi diçka e re në profesionin tim si gazetare. Ishte një lloj turbulence në fillim të pandemisë dhe situata filloi të rëndohej në ditën kur ndodhi edhe vdekja e parë. Atë ditë e kam parë një gjendje emocionale të renduar te stafi shëndetësor sepse e panë se aty filloi sfida e vërtetë”, ka thënë ajo.

Zhitia ka thënë se çdo ditë ka raportuar nga oborri i Klinikës Infektive por nga fundi i prillit ka mundur të sjellë pamje brenda Klinikës Infektive.

Ajo tutje ka shtuar se në fund të muajit qershor kur rastet ishin në numër të madh, nuk ndalonin së raportuari, e pastaj filloi të zbehej dëshira për të hyrë brenda.

Beteja e saj me COVID-19

“Jam infektuar në momentin kur puna ime nga terreni është kthyer në studio. Jam infektuar atyre ditëve, më 6 gusht në mbrëmje kam filluar të ndjej një lodhje më të çuditshme se normalja. Asnjëherë nuk mendoja që do të infektohesha sepse isha në studio. Rrugëtimi im si e prekur me COVID-19 ishte jo i lehtë. Pothuajse një muaj jam përballur me të., ka pas ditë që thoja se ja dola por edhe net që mendoja se janë të fundit për mua. Pas 12 ditë trajtimi në shtëpi shëndeti më është rënduar dhe me rekomandimin e mjekëve jam shtruar në Klinikën Infektive. Më kujtohet 19 gushti, ishte mbrëmje, unë po merrja terapi, në varësen afër shtratit tim kisha tri infuzione që po hynin në organizmin tim. Po gjurmoja në telefon dhe e pash lajmin për vdekjen e doktorit Burim Krasniqi të cilin e kisha mik të mirë dhe ishim infektuar në të njëjtën kohë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se vdekja e tij ishte moment emocionuese dhe e në ato momente e kishte menduar se do të përfundonte njëjtë edhe ajo.

Zhitia rrëfen se edhe shëndeti mendor i ishte rënduar.

Ajo ka thënë se në kohën sa ka qenë e infektuar ishin testuar edhe familjarët e saj porse kanë rezultuar negativë.

“Kur temperatura shkoi mbi 42 gradë, disa pjesë të trupit filluan t’i nxiheshin”
Në shtator ajo thotë se mposhti pandeminë porse në nëntor i ishte infektuar bashkëshorti.
 

“Lufta ime me Covidin nisi edhe njëherë, pas burrit u infektuar edhe djali i vogël. Në ditën e 8 kur temperatura e tij kaloi mbi 42 gradë, disa pjesë të trupit filluan t’iu nxihen, mjekët rekomanduan ta dërgojë në klinikë”, ka thënë ai.

Ajo tutje ka shtuar se kishte përjetuar situatë të rëndë edhe emocionale e edhe financiare.

Zhitia tutje ka shtuar se shteti ka dështuar të sigurojë një antiviral dhe pacientët në mënyra të ndryshme është dashur të gjejnë ilaçin.

Ajo tutje ka shtuar se pandemia ka shpërfaqur gjendjen e sistemit shëndetësor.

“Në klinikën Infektive kam parë pacientë të moshave e kategorive të ndryshme. Vetëm pandemia qytetarët i ka bërë të barabartë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco