Injeksioni më i nevojshëm për COVID-19 mungon në Kosovë, s’ka furnizim deri të martën

Injeksioni më i nevojshëm për COVID-19 mungon në Kosovë, s’ka furnizim deri të martën

17:12, 20/12/2020

Tashmë disa ditë qytetarët po hasin në vështirësi për të blerë Fraxiparinë, i cili vlerësohet shumë i rëndësishme për personat me COVID-19, për shkak që rregullon koagulimin e gjakut. Përkundër kërkesave të mëdha për të, as institucionet publike e as barnatoret private nuk kanë furnizim. Furnizimi me të pritet të bëhet të martën.

Ndonëse kërkesat për Fraxiparinë janë të mëdha, as institucionet publike shëndetësore në vend, e as barnatoret private nuk janë të furnizuara tashmë disa ditë me të.

Qytetarë të cilët kanë familjarë të infektuar me virusin COVID-19 vazhdimisht po kërkojnë zgjidhje për furnizim. Megjithatë, deri tani nuk ju është ofruar një e tillë.

Furnizimi me këtë injeksion pritet të bëhet tek të martën.

Një nga qytetarët ka treguar për Express se për shkak të infektimit me COVID-19 i është trashur gjaku dhe mjekët i kanë kërkuar që të përdorë Fraxiparinë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk po arrin ta blej askund këtë injeksion.

Ai ka treguar se kanë kërkuar në shumë barnatore në Prishtinë, por që i kanë thënë të pres derisa të vie furnizimi.

“Kemi kërkuar nga një barnatore në tjetrën në Prishtinë por nuk kemi gjetur Fraxiparinë 0.6ml. Familjarë të mi kanë kërkuar edhe në komunat tjera, por që më kanë thënë se ka mungesë. Për momentin po përdori vetëm aspirinë pasi nuk kam zgjidhje tjetër ”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, Milaim Abdullahu, përfaqësues i distributorëve dhe importuesve farmaceutikë, ka treguar për Express se pse barnatoret private po kanë mungesë të Fraxiparinës.

Ai ka thënë se kërkesat për furnizim me të i kishin bërë në fillim të vitit, por që pas përhapjes së pandemisë COVID-19 në vend, kërkesat për Fraxiparinë janë gjashtëfishuar, andaj edhe barnatoret private janë përballur me mungesë të tyre.

Abdullahu ka thënë se të martën pritet të vie furnizimi me 300 mijë Fraxiparina.

“Në janar të vitit 2020 kur janë dorëzuar planet janë dorëzuar për 200 mijë Fraxiparina. Pasi filloi të përhapet COVID-i u gjashtëfishua kërkesa. Rritja e kërkesave nuk është paraparë. Mirëpo të martën do të vinë 300 mijë Fraxiparina. Do të ketë edhe Ministria e Shëndetësisë edhe tregu komercial”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të ketë furnizim të mjaftueshëm me këtë injeksion.

Ndërsa, për mungesën e tij kanë folur edhe nga spitalet rajonale në vend.

Drejtori klinik i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli ka thënë për Express se momentalisht kanë furnizim me të gjitha barnat tjera për COVID-19 përveç Fraxiparinës.

Ndërsa, nga Spitali i Prizrenit është thënë për Express se gjatë pandemisë barnat janë shpenzuar më shpejtë dhe se momentalisht kanë mungesë të këtij injeksioni.

“ Siç e dini shpenzueshmëria është e shprehur në barna dhe material shpenzues gjatë pandemisë. Për të tejkaluar situatën ne shpesh kontaktojmë me barnatoret qendrore spitalore dhe QKUK-në”, është thënë nga ky spital.

Ndërsa, edhe nga spitalet tjera kanë ngritur nevojën e Fraxiparinës, duke treguar se tashmë një kohë nuk kanë furnizim me të.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco