VOA: Shtohen testimet, shtohen rastet e reja

VOA: Shtohen testimet, shtohen rastet e reja

17:10, 12/08/2020

Në Shqipëri, në 24 orët e fundit u rregjistrua një tjetër rekord i rasteve të reja të konfirmuara pozitivë ndaj Koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 141 të prekur dhe 3 viktima, një 65 vjeçar nga Elbasani dhe dy qytetarë nga Tirana, një 66 vjeçar dhe një 76 vjeçare, për të cilët nuk u bë e ditur të kishin patur sëmundje shoqëruese.

Në total janë 208 personat që kanë humbur jetën.

Numri më i lartë i të infektuarve i vërejtur së fundmi ka ardhur paralelisht dhe me një rritje graduale të testimeve që po kryhen në Institutin e Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, deri më tani, rastet pozitive ndaj koronavirusit janë në kuotën e 6817 të prekur, nga të cilët mbi 5500 të infektuar vetëm në 9 javët e fundit.

Sipas të dhënave të bëra publike pasditen e së mërkurës, rastet e fundit janë zbuluar në 19 qytete të ndryshme të vendit: 51 raste në Tiranë, nga 14 raste Shkodër, Krujë, 12 në Lezhë, 9 në Vlorë, 7 në Durrës, 5 në Lushnje, nga 4 raste në Kurbin, Elbasan, Klos, nga 3 raste Korçë, Divjakë, nga 2 raste, Kavajë, Berat, Kamëz, Gramsh, nga 1 rast në Kukës, Vau i Dejës, dhe Selenicë.

Në të gjithë vendin janë 3057 persona aktivë. Një shifër që vjen duke u rritur nga ditë në ditë, ndërsa numri i atyre që shërohen mbetet ndjeshëm më i ulët se i rasteve të reja. Më shumë se gjysma e personave aktivë janë në Tiranë, 1678 raste. Durrësi dhe Shkodra vijojnë të jenë qytetet e tjera me shifrat më të larta, respektivisht 367 dhe 263 raste.

E njejta tendencë në rritje vërehet me pacientët e shtruar në spitalet ku trajtohen personat që shfaqin shenja klinike të sëmundjes. Deri pasditen e të mërkurës ishin 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, nga të cilët 16 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 të tjerë të intubuar. Por ndërkohë, krahas tyre, në spital është rritur dhe numri i atyre që janë të dyshuar si të prekur nga virusi i rrezikshëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco