Ukraina mbyll rrjedhën e gazit rus që kalon në tokën e saj për në Evropë Një punonjës hap një valvul në një tubacion në stacionin e kompresorit të gazit Bulgartransgaz në Ihtiman.

Ukraina mbyll rrjedhën e gazit rus që kalon në tokën e saj për në Evropë

08:27, 11/05/2022

Pavarësisht pushtimit, gazi nga Rusia ende kalon përmes Ukrainës për në Evropë. Ukraina ka thënë për herë të parë që nga fillimi i luftës se do të pezullojë rrjedhën e gazit natyror përmes një pike tranziti, e cila thuhet se dërgon pothuajse një të tretën e karburantit nga Rusia në Evropë nëpërmjet Ukrainës.

Kievi fajëson Moskën për këtë vendim, duke thënë se duhet t’i zhvendoste flukset diku tjetër, njofton BBC.

Edhe pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, ky vend ka mbetur një rrugë kryesore tranziti për gazin rus në Evropë.

Megjithatë, trupat ruse e kanë marrë gazin që kalonte përmes Ukrainës dhe e dërgojnë atë në zonat separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit të vendit, tha bosi i operatorit të rrjetit të  gazit të Ukrainës GTSOU për agjencinë e lajmeve Reuters, pa dhënë prova.

GTSOU thotë se do t’i ndalojë dërgesat përmes rrugës Sokhranivka duke filluar që sot.

Kjo vjen pasi shpallet një e ashtuquajtur forcë madhore, një klauzolë që përdoret kur një biznes ndikohet nga diçka që është jashtë kontrollit të tij.

Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom tha se kishte marrë njoftim nga Ukraina se do të ndalonte tranzitin e gazit në Evropë përmes rrjetit të interkonjeksionit Sokhranivka që nga ora 7:00 me orën lokale të mërkurën.

Megjithatë, Gazprom, i cili ka një monopol mbi eksportet e gazit rus me tubacion, thotë se është "teknologjikisht e pamundur" që të zhvendosen të gjitha vëllimet në pikën e ndërlidhjes Sudzha më në perëndim, siç propozoi GTSOU.

Gazprom shtoi se po i përmbush të gjitha detyrimet e tij  ndaj blerësve të gazit në Evropë.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve që të frenojnë varësinë e tyre nga energjia ruse dhe kanë ndaluar importet ruse të naftës dhe të tjera të energjisë në shenjë hakmarrjeje për pushtimin e Ukrainës.

Njoftimi i së martës nuk e ndryshon afatin kohor për të pakësuar varësinë globale nga nafta ruse "sa më shpejt të jetë e mundur", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco