Kosova në Berlinale, shfaqi premierën e filmit “Në mes”

Kosova në Berlinale, shfaqi premierën e filmit “Në mes”

08:21, 13/02/2019

Premiera botërore e filmit dokumentar “Në mes” të realizuar nga fotografi Samir Karahoda, është shfaqur të martën mbrëma nga ora 21:30, në Berlinale.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova është pjesë e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

Pas premierës, drejtori i QKK-së Arben Zharku ka përgëzuar gjithë ekipen e këtij filmi.

“Cfarë momenti… urime Samir, Eroll, Enis, Gzim, Memli… dhe të gjithë ekipa tjetër për këtë premierë të mrekullueshme në Berlinale”, ka shkruar Zharku.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare

“Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur t’a pasqyroj kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë.” theksoj producenti Bilibani.

Çmimet prestigjioze të edicionit të 69 të Berlinales, do të ndahen të shtunën e 16 shkurtit. Ndërkohë, 400 filma janë seleksionuar për t’u shfaqur këtë vit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco