TikTok, nën lupën e BE-së: Platforma nuk respekton mbrojtjen e të rinjve

TikTok, nën lupën e BE-së: Platforma nuk respekton mbrojtjen e të rinjve

22:45, 21/02/2024

Që nga vera e vitit të kaluar sipërmarrja kineze TikTok dhe të tjera platforma të mëdha në internet duhet të respektojnë ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Qysh përpara dy muajsh Komisioni i BE-së si autoriteti përgjegjës për mbikqyrjen shprehu dyshime ndaj koncerneve të mëdha të internetit dhe se TikTok nuk i respekton këto norma mjaft rigoroze, krahasuar në nivel ndërkombëtar. Hetimet paraprake kanë nisur ndërkohë dhe TikTok-ut u pozicionua. Por sipas mendimit të Komisionit të BE-së, shpjegimet nga ana e TikTok-ut kanë qenë të pamjaftueshme.

Komisari i BE-së, Thierry Breton, akuzon TikTok-un, se nuk respekton mjaftueshëm mbrojtjen e të rinjve. Të rinjtë nën 16 vjeç do të duhet që të mund ta përdorin vetëm me kufizime TikTok-un. Të rinjtë dhe fëmijet nën 13 vjeç duhet të lejohen të përdorin vetëm një version të kufizuar. Verifikimi i moshës është i pamjaftueshëm, sepse TikTok, kur hap llogari në të, pyetjen për moshën e bazon tek vetëdeklarimi, pa kërkuar verifikimet përkatëse. Por nuk është vetëm ky një problem specifik i TiTok-ut edhe të tjera medie të koncernit Meta, X apo faqet e pornografisë veprojnë ngjashëm. TikTok-u e pranon në faqen e vet, se kjo është në varësinë e sinqeritetit të përdoruesve.

Tek klientët nën 16 vjeç shërbimi e kufizon kohëzgjatjen e përdorimit ditor në një orë. Por ky kufizim mund të shfuqizohet me vetëm fare pak klikime. Ligji i BE-së për shërbimet digjitale (DAS) ndalon reklamën e personalizuar për njerëzit nën 16 vjeç. Edhe kjo është e vështirë të respektohet kur mungon verifikimi i moshës, mendojnë verifikuesit e Komisionit të BE-së.

Komisioni i BE-së gjithashtu shpreh shqetësim, se algoritmi i TikTok-ut u imponon përdoruesve një fluks të pafund videosh, duke ndjekur të gjitha preferencat personale të tyre. Kjo “joshje” në aplikacion mund të kthehet në një varësi të pakontrollueshme tek përduruesit e TikTok-ut. TikTok e hedh poshtë këtë, duke thënë, se algoritmi është konform normave të DSA dhe mund të deaktivizohet. Por opcioni i deaktivizimit në menynë e aplikacionit është i fshehur dhe mund të arrihet pas shumë klikimeve. Ky rregullator dhe opcionet që zbulohen me vështirësi janë një problem jo vetëm i TikTok-ut. Studiuesit e medias, që prej vitesh konstatojnë, se TikTok-u, që përdoret intensivisht nga të rinj nën 25 vjeç, ka një potencial të madh për t’u kthyer në ves tek përdoruesit. “Ka mjaft aspekte që japin shkas të besosh, se një dizajnim enkas i TikTok dhe të tjera platformave mund të nxisin varësinë ndaj aplikacionit”, tha në televizionin ZDF eksperti i internetit Julian Jarusch nga fondacioni “Përgjegjësia e re”. “Mbledhja e dëshmive, për të provuar që kjo është ose jo e vërtetë, nuk është detyrë e lehtë për Komisionin e BE-së.”

Një zëdhënës i TikTok-ut shpjegoi, se firma, që i përket koncernit kinez Bytedance, do të angazhohet edhe më tej për përmirësimin e mbrojtjes së të rinjve. “Ne do të punojmë edhe më tej me ekspertë dhe me industrinë, për ta konceptuar më të sigurtë TikTok-un. Ne gëzohemi që na jepet rasti tani, të mund t’ia shpjegojmë këtë në detaje Komisionit të BE-së.” Komisioni i BE-së do që krahas mbrojtjes së të rinjve të marrë një listë të të gjithë klientëve të reklamave. Gjithashtu duhet garantuar për studiuesit aksesi tek të dhënat e TikTok-ut, ashtu sikurse është përcaktuar në ligjin për shërbimet digjitale.

Drejtori ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, ishte në janar në Bruksel tek komisionerët e BE-së, për t’u shmangur atyre rezervat ndaj platformës së videove të shkurtra. CEO i TikTok-ut që vjen nga Singapori iu përgjigj pyetjeve të detajuara gjatë një intervistimi në senatin e SHBA-së. Deputetët shprehën kryesisht shqetësimin, që TikTok të dhënat e përdoruesve ia pason koncernit amë ose që platforma mund të konsiderohet si një software spiunazhi. Në valën e intervistimeve të ngjashme në vitin 2023 shefi i TikTok-ut pranoi, se ai nuk do t’ua lejonte fëmijëve të tij (atëherë gjashtë dhe tetë vjeç) përdorimin e kësaj platforme. Në Singapor, ku jetojnë fëmijët e tij, nuk ka kufizim moshe për qasjen në platformën që po rritet vrullshëm.

Në Gjermani TikTok-u javët e fundit tërhoqi vëmendjen, sepse partia nacionaliste e djathtë “AfD” në platformë është shumë më e suksesshme se konkurrentët e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco