Qysh nga 1990, Kosova ka kapacitet për Festivalin e Eurovisionit

Qysh nga 1990, Kosova ka kapacitet për Festivalin e Eurovisionit

14:47, 04/04/2023

Gazetar: Erdonit HOXHA

Radio Televizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ditë më parë kanë nënshkruar një memorandum në periudhë 5 vjeçare, për organizimin e Festivalit të Këngës, për ta zgjedhur këngën që do e përfaqësonte Kosovën në Eurovision.

Mirëpo, realizmi i këtij festivali, nuk nënkupton që Kosova do marrë pjesë në mënyrë të pakontestuar, këtë vit, në Eurovision.

Syri.net Kosova ka raportuar në mënyrë ekskluzive që Festivali i RTK-së, nuk ka të bëjë me pjesëmarrjen në Eurovision, pasi, për t’u bërë pjesë e festivalit të madh evropian të këngës, shtetet pjesëmarrëse në Eurosong duhet ta aprovojnë pjesëmarrjen e Kosovës dhe për këtë fakt, Spanja është shumë skeptike.

Syri ka raportuar edhe për detaje tjera rreth festivalit, që mund t’i lexoni KËTU.

Sidoqoftë, sa ka kapacitet Kosova në realizimin e produksioneve muzikore për Eurovision, duke përfshirë aspektin e instrumentaleve dhe teksteve me mesazhe, siç e do festivali?

Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë producenti kosovar, Bini Nebihu.

Për Syri Kosova, Nebihu tha se kosovarët janë kreativë dhe kanë kapacitet, por, përzgjedhjet i bëjnë gabimisht, qoftë të këngës që e dërgojnë, ose, të këngëtarit/es.

“Më të mirët jemi ne kosovarët në botë. Kemi shije te ndryshme dhe kapacitete e njohuri zhanresh më shumë se të gjithë popujt. Përzgjedhjet bëhen gabim tek ne shqiptarët. Gjithmonë dikush e njeh dikënd dhe kështu përfundojmë në humnerë! Ose, zgjedhim njeriun e duhur e këngën e gabuar, ose këngën e mirë njeriut të gabuar, ose të dyja i zgjedhim gabim! Neve na mungon patriotizmi në vepër, sepse, me fjalë jemi kulmi” ka thënë Nebihi.

Kurse, sipas gazetarit të kulturës, Arbër Selmanit, Kosova është dashur të jetë në Eurovizion qysh kur Armend Rexhepagiqi provoi të përfaqësonte Jugosllavinë në këtë festival të madh, në vitin 1990.

Në një bisedë për Syri Kosova, ai tha se vendi do duhej qe moti t’i bashkohej këtij festivali, por, duke pas parasysh faktin që Eurovisioni është i politizuar, kjo gjë e ka penalizuar një pjesëmarrje të tillë.

“Si gazetar i kulturës tash e disa vite, por edhe si qejfli i Eurovizionit, e kam përcjellë festivalin dhe më gëzon fakti që shqiptarët e Kosovës megjithatë e kanë pasur mundësinë ta prekin skenën e Eurovizionit, anipse jo duke e përfaqësuar Kosovën si të vetme.

U gëzova me lajmin që në fund të këtij viti do të organizohet një festival i këngës i cili e bën menjëherë të dukshme mundësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Eurovizionin e vitit tjetër. A kemi potencial për këngë të mira? Kuptohet që kemi, sepse në Kosovë prodhohet muzikë e mirë, ka producentë e tekstshkrues e këngëtarë e studio të mira e të fuqishme, me teknologjinë më të fundit, të cilat kur do të bashkoheshin do të krijonin një përfaqësim dinjitoz të Kosovës” ka thënë ai.

Kurse, sa i përket formës organizuese dhe asaj se çka do duhej të çohej nga Kosova në Eurovision, Arbëri duket mjaft optimist, madje, nuk e përjashton mundësinë e fitimit të këtij festivali nga përfaqësuesi/ja e vendit, që në herën e parë të pjesëmarrjes, kurdo që kjo gjë të ndodh.

“Festivali i RTK-së është i nevojshëm jo vetëm për ta dërguar një këngë në Eurovizion, por edhe sepse RTK-së i ka hije një festival i tillë dhe unë nuk kam asnjë dyshim që gjithçka do të planifikohet e ekzekutohet në atë mënyrë që publikut t`i konfirmohen dy elemente: organizatorët e kanë marrë seriozisht një festival të tillë dhe niveli do të jetë i lartë, dhe Eurovizionit mund t`i shkojmë vitin tjetër për herë të parë me ndonjë projekt muzikor që do ta tronditë Evropën. Ka shtete që e kanë fituar Eurovizionin me pjesëmarrjen e tyre të parë.

Nuk i di detajet e festivalit por transmetuesi publik e ka marrë një vendim fantastik me organizimin e një festivali të tillë, i cili do të ndikojë edhe në skenën muzikore në përgjithësi, gjithmonë duke tentuar edhe një përfaqësim të suksesshëm në Eurovizion” përfundoi Selmani.

Për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision, i lumtur do ishte edhe Lind Berisha, një nga simpatizuesit më të mëdhenj të këtij festivali.

Në një bisedë për Syrin, ai tregoi edhe preferencat e tij, se kush do donte që ta përfaqësonte shtetin në këtë kompeticion.

“Rona Nishliu, Teuta Kurti, Adelina Thaçi,Yll Limani, Flaka Krelani, Linda Halimi apo Yllka Kuqi do ishin emrat ideal që ta përfaqësonin Kosovën në Eurovision. Por, edhe emrat tjerë, që këngën e kombinojnë me performanca më ‘entertaiment’, siç janë Dafina Zeqiri dhe Melinda Ademi, mendoj që ishin përshtat me këtë festival dhe kishin ditë se çfarë këngë të çonin” tha Lindi.

Kujtojmë që këtë vit, Albina Kelmendi është shqiptarja e Kosovës që do e përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, me këngën ‘Duje’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco