Vikings: Valhalla’ - Madhështia e një seriali televiziv

Vikings: Valhalla’ - Madhështia e një seriali televiziv

12:31, 05/02/2023 Nga Daut Dauti

Vikingët apo Valhalla, është dramë me përmasa epike e serializuar televizive, e cila është krijuar nga skenaristi Jeb Stuart dhe që është duke u shfaqur në Netflix. Regjia është punuar nga një grup i regjisorëve, siç janë: Niels Arden Oplev, Steve Saint Leger dhe Hannah Quinn. Tregimi është i bazuar në historinë e vikingëve të shek. XI. Në çdo aspekt është film mahnitës. 

Tregimi historik paraqitet nga tre personazhe impozante: Leif Eriksson (Sam Corlett), vikingu më i popullarizuar në historinë e eksplorimit; Freydís Eiríksdóttir (Frida Gustavsson), motra e tij; dhe Harald Sigurdsson (Leo Suter) princi ambicioz norvegjez,  

Ambienti (skenografia) ku është bërë filmi (Irlandë), kostumografia, skenari, regjia dhe aktrimi janë për lakmi. Filmi i përmbushë kriteret e shikuesit të kultivuar që ka njohuri dhe pritje vizuele për vikingët. Madje, i kultivon përceptimet edhe më tej. Këtu vikingët, ashtu siç pritet, janë të gjatë, të zhvilluar fizikisht, të bukur, trima, të aftë në luftë, brutalë, të pakompromis, barbarë, por inteligjentë dhe gjithmonë në lëvizje. 

Tregimi në serinë e parë fillon me ardhjen në Norvegji nga Islanda të Leif Erikssonit me motrën e tij, Freydís Eiríksdóttir. Ata e bëjnë këtë rrugë të gjatë me një lloj anije që më shumë është barkë e zakonshme. Por, vikingët kanë qenë të aftë të lundrojnë dhe orientohen edhe në këtë mënyrë primitive. 

Pastaj fillon angazhimi i Erikssonit dhe Freydísit në jetën politike dhe ushtarake të vikingëve në Norvegji. Këtu përfshihen edhe veprimet e tyre të invazionit ushtarak që bëhen në Angli ku vikingët kanë themeluar mbretëritë e tyre dhe duke i vënë disa mbretëri angleze nën vazalitet. Poashtu, në mënyrë efektive pasqyrohet konflikti i brendshëm i vikingëve për pushtet dhe ku shihen edhe konfliktet që rjedhin nga tentimi për krishtërimin e  tyre. Është koha kur vikingët paganë e refuzojnë religjionin e krishterë duke e konsideruar si diçka e huaj. 

Në serinë e dytë jepet ekspanzioni i vikingëve në Rusinë e sotme, përfshirë Ukrainën dhe Bellorusinë. Në fakt, vikingët janë themelues të shtetit rus apo të këtij të mëvonshmit ukrainas. Haraldi dhe Erikssoni detyrohen të ikin nga Norvegjia pasi që e humbin luftën për pushtet. Haraldi e konsideron vehten trashëgimtar të fronit norvegjez. Pasi që Haraldi mbetet pa ushtri, detyrohet të udhëtoj ne ekzil me Erikssonin në Novgorod (Rusi) për të kërkuar nga kusheriri i tij, Jarosllavi i Mençur, që ta ndihmoj të kthehet në pushtet. Jarosllavi, sundues i këtj rajoni që më vonë do të bëhej Rusi, nuk iu ndihmon.

Për ta spjeguar gjerësinë e botës dhe ekzistimin e kulturave tjera, në Novgorod Erikssoni njoftohet me Mariamen, astronomen dhe matematikanten e famshme siriane, e cila është nga Alepo, rolin e së cilës e luan Hayat Kamille. Personazhi (Mariam) është i vërtetë dhe e njohur në histori për zbulimin e Astrolabit, instumentit për matjen e objekteve (planeteve dhe yjeve) në gjithësi. Mariam ia mëson shkrim leximin Erikssonit. Poashtu, edhe matematikën, përdorimin e astrolabit, sikur që e njofton edhe me një religjion që quhet Islam. Është vija simbolike se si arabët e kanë përcjellur shkencën te popujt tjerë, te vikingët në këtë rast. Sidoqoftë, Miriam dhe Eriksson dashurohen në njëri tjetrin, që është shembull edhe i afrimit të popujve. 

Pasi që Jarosllavi nuk ofron ndihmë, Haraldi vendosë të merret me tregti, sa për t’i bërë paratë për finansim të ushtrisë që do ta kthente në pushtet. Prandaj, me një grup merr rrugën e vështirë për Kosntantinopol. Kjo është mënyra që ilustron shembullin e kontaktit të zgjeruar të vikingëve me botën. Por, rrugës me plot rreziqe, Mariam vdes. Kjo e gjë e godet rëndë Erikssonin pasi që mbetet pa gruan që e dashuronte dhe pa mësuesen që e iluminoi. 

Sidoqoftë, vikingët kanë luajtur një rol të madh në historinë e zhvillimit të ngjarjeve në Evropë. Po në këtë kohë (shek. XI), normanët, që poashtu ishin vikingë, e pushtuan Anglinë dhe ia vunë themelet shtetit të ardhshëm britanik që nuk do të pushtohej kurrë më dhe që u shndërrua në perandori. Më herët, normanët e pushtuan pjesën veriore të Francës dhe nga aty dolën në Angli. Po në këtë kohë ata e pushtuan gjysmën e Italisë së sotme (pjesën Jugore), së bashku me Sicilinë dhe Maltën që i morën nga arabët. 

Duke e dëgjuar këtë tregim, njeriu mund të mendoj se vikingët kanë qenë ushtri me qindra mijëra veta. Në fakt, ata kanë qenë grup i vogël, por luftëtarë të mëdhenj. Sicilinë e pushtuan kur kishin vetëm 700 ushtarë. Pasi që nuk kishin shumë luftëtarë, nuk i rrethonin qytetet. E përdornin një taktikë për ta nxjerrë kundërshtarin në fushë dhe aty e shkatërronin edhe nëse ishte qindra herë më i madh numerikisht.

E vërtetë që vikingët kanë qenë të pacivilizuar në krahasim me tjerët, siç ishin bizantinët, venedikasit dhe arabët. Por, askush nuk kishte gjasa ta fitonte luftën me ta. Pas luftës tregonin aftësi të vendosjes dhe organizimit të pushtetit si askush tjetër. Pasi që nuk kishin kulturë, nuk kishin as çka t’iu impononin popujve të pushtuar. Prandaj, nuk e preknin kulturën që e gjenin dhe popujt që binin nën sundimin e tyre, këtë gjë nuk e shihnin si pushtim. Vikingët vendosnin rend ligjor dhe qetësi në të cilin popujt e ‘pushtuar’ përparonin. Pasi që nuk ishin me numër të madh dhe pasi që i respektonin kulturat vendase, me kalimin e kohës u shkrinë në vendas.  

Sidoqoftë, do të ishte mirë sikur në serinë e tretë të trajtohej segmenti i pushtimit norman të Francës, Italisë, Sicilisë dhe Maltës. Skenaristi, regjisorët dhe aktorët, tani më kanë dëshmuar se këtë punë mund ta bëjnë në mënyrë të shkëlqyeshme. 

Vikingët janë populli më mahnitës evropian. Në mesjetën e hershme, kur invaduan Evropën, vërtetë ishin brutalë për shkak se ashtu e kërkonte koha. Por sot, pasardhësit e tyre, siç janë danezët, norvegjezët, islandezët dhe suedezët, janë poujt më të butë, më të civilizuarit dhe më të përparuarit në botë. Janë shembulli më i mirë se si duhet vepruar në situata të ndryshme për të mbijetuar, për të qenë të rëndësishëm dhe për të gjetur vend të merituar në histori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco