‘Teatri në shkolla’, sjell premierën ‘Kryengritja’ me nxënës të kryeqytetit

‘Teatri në shkolla’, sjell premierën ‘Kryengritja’ me nxënës të kryeqytetit

12:30, 29/11/2022

“Teatri në shkolla”, projekti i Cult Club, sjell në këtë fundnëntori një performancë të re nga nxënësit e talentuar.

“Kryengritja”, shfaqet në Teatrin “Dodona” në Prishtinë më 30 nëntor. Nxënës të kryeqytetit, të përzgjedhur për të intepretuar në skenën teatrore, do të shfaqin të mërkurën talentin e tyre në aktrim, muzikë etj.

Drejtoresha e Cult Club, regjisorja dhe profesoresha Elmaze Nura shprehet se ky projekt po mirëpritet gjithnjë e më shumë nga shkollat, ku vërehet dëshira, por edhe talenti për teatrin në veçanti.

Ndërsa regjisori i shfaqjes Gëzim Hasani thotë se edhe sivjet kanë përgatitur një performancë interesante. Ai tregon më tutje se si zhvillohen ngjarjet në shfaqje.

Drejtuesit e një shkollë fillore, vendosin ta shkatërrojnë parkun e lodrave për të ndërtuar një parking të ri për veturat e tyre, por ky veprim zemëron nxënësit.

Linda, kryetarja e një klase, vendos të organizojë rezistencë dhe mbyllet bashkë me shokët e shoqet brenda shkollës.

Ata fillojnë të postojnë video dhe të protestojnë përmes klasës së tyre.

Ajti, një djalosh i apasionuar pas teknologjisë, hakon sistemin e kamerave dhe sistemin e kodit të parkingut ekzistues.

“Kryengritësit” e vegjël, bëhen viral në rrjetet sociale. Klasët e tjera motivohen që t’i bashkohen rezistencës. Nxënësit barrikadohen me shokët e shoqet e tyre deri në fund, për ta shpëtuar parkun e lodrave.

Drejtorit nuk i mbeten alternativa përballë nxënësve të vendosur.

Dy shkollat e kryeqytetit, “Naim Frashëri” dhe “Faik Konica”, janë pjesë e këtij projekti teatror.

Shfaqja “Kryengritja” është mbështetur nga MASHT-i dhe qëllimi i projektit është mbështetja dhe evidentimi i talenteve në fushën e artit.

Image

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco