Prishtinës i shtohet fotografia e heronjve Gërvalla dhe Zeka

Prishtinës i shtohet fotografia e heronjve Gërvalla dhe Zeka

16:54, 26/11/2022

Në prag të Festës së 28 nëntorit, sheshit të Prishtinës i është shtuar fotografia e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës. Derisa u kërkua nga institucionet që në të ardhmen të vendoset edhe një përmendore e përbashkët e heronjve në njërin nga sheshet e kryeqytetit.

Shoqata Lëvizja sot në Prishtinë ka vendosur fotografinë e tre heronjve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, për të cilët u tha se qëndrojnë bashkë me mesazhin e përhershëm të lirisë kombëtare të përparimit shoqëror, të atdhedashurisë, të bashkimit e unitetit kombëtar.

Emrush Xhemaijli, ish-kryetar Lëvizjes Popullore të Kosovës foli për luftën çlirimtare të Kosovës dhe veçanërisht për kontributin e heronjve Gërvalla dhe Zeka.

Derisa shprehu mirënjohje ndaj institucioneve për vendosjen e kësaj fotografie në kryeqytet, ai apeloi ato edhe për shtatoren e heronjve.

“Tri vjet pas çlirimit te vendit, para 20 vjetëve, në vitin 2002, eshtrat e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit u kthyen dhe prehen në tokën për të cilin ranë 20 vite të tjera nga atëherë dhe 40 vjet pas rënies se tyre, ja sot në qendër të kryeqytetit, ata qëndrojnë bashkë me mesazhin e përhershëm të lirisë kombëtare të përparimit shoqëror, të atdhedashurisë, të bashkimit e unitetit kombëtar. Ata bashkë ishin, bashkë janë e bashkë do të jenë, në mendjet e zemrat tona. Ata sot e mbas sodit e përgjithmonë do të jenë bashkë edhe vizualisht në kryeqytetin e shtetit tonë, Republikës se Kosovës”, tha ai.

Organizatori i demonstratave të viteve të 90-ta, njëherësh bashkëveprimtar i heronjve, Hydajet Hyseni tha se sot po shpaloset një pano që flet vetë.

“(Vendosja e fotografisë) Një kujtim dhe nderim i vogël për një borxh të madh… Jusufi, Kadriu, Bardhoshi dhe shokët e tyre e dinin se ishin në shënjestrën e armës vrastare shoviniste, e dinin se mund t’i vrisnin, por ata mbi jetën e tyre kishin vënë lirinë dhe bashkimin. Dhe, vërtet, siç u pa dhe po e dëshmojnë burimet serbe, u vranë sepse po bashkoni lëvizjet çlirimtare, siç vranë edhe Metush Krasniqin, Enver Hadrin, Avdi Ibrahimin, Zijah Shemsiun, Rexhep Malen e Nuhi Berishën, Ali Ajetin dhe Afrim Zhitinë e vëllezërit Falziu, dhe shumë të tjerë”,tha Hyseni.

Edhe veprimtari Fazli Veliu tha se Serbia vrau djemtë më të zgjedhur të Kosovës.

“Sot këtu ju që jeni dhe që keni përjetuar të gjithë këtë gjë dhe të gjithë këtë terror i cili gjente në atë kohë sikur i ngjante familjes Jashari… Të vritej atëherë një veprimtar sikur ishte Jusufi do të thoshte të vritej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, të vritej Kadri Zeka do të thoshte të vritej Shqipëria, të vritej Bardhosh Gërvalla do të thoshte diplomacia, djalë që dinte gjashtë gjuhë. Janë më të dhimbshme rastet që ata nuk lanë pas edhe të tjerë, por ju jeni ata që e vazhduat dhe shpëtuat Kosovës dhe viset shqiptare”, tha ai.

Kujtojmë se, më 17 janar 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë./kp

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco