Barcelona konfirmon ofertën për Julián Álvarez-in, Laporta i dërgon mesazh Atlético Madridit

Barcelona konfirmon ofertën për Julián Álvarez-in, Laporta i dërgon mesazh Atlético Madridit

08:54, 13/07/2026

Barcelona ka konfirmuar zyrtarisht interesimin për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez. Presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta, bëri të ditur se klubi ka paraqitur një ofertë konkrete për futbollistin e Atlético Madridit, por paralajmëroi se ajo nuk do të mbetet e hapur për një kohë të pacaktuar.

Laporta, i cili ndodhet në Dallas për të ndjekur gjysmëfinalen e Botërorit 2026 mes Francës dhe Spanjës, u ndal para gazetarëve spanjollë dhe foli për një nga çështjet më të nxehta të merkatos së verës.

“Nuk do të kërcejmë sipas muzikës së askujt, ritmin do ta vendosim ne. Kemi bërë një ofertë dhe ajo nuk është e pakufizuar. Në momentin e duhur do të bëjmë të ditur deri kur do të mbetet në fuqi. Duam të transferojmë një lojtar që pëlqehet shumë si nga drejtuesit, ashtu edhe nga stafi teknik. Bëhet fjalë për një ofertë me vlerë shumë të rëndësishme, por që nuk do të presë pafundësisht”, deklaroi kreu i Barcelonës.

Sipas medieve spanjolle, Julián Álvarez dëshiron të largohet nga Atlético Madridi gjatë kësaj vere dhe Barcelona shihet si destinacioni më i mundshëm. Sulmuesi 26-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Argjentinës në Botërorin 2026.

Laporta foli edhe për marrëdhëniet me Atlético Madridin, duke mohuar se Barcelona ka ushtruar presion ndaj klubit madrilen.

“Besoj se kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Pati një keqkuptim lidhur me ofertën tonë, por ne nuk kemi bërë presione. Thjesht u kemi bërë të ditur se oferta jonë mbetet në fuqi. Që prej asaj kohe nuk ka pasur zhvillime të tjera”, u shpreh ai.

Tashmë topi është në fushën e Atlético Madridit, që duhet të vendosë nëse do të pranojë ofertën e Barcelonës për sulmuesin argjentinas, të blerë nga Manchester City dy vite më parë për 75 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco