FIFA ka përzgjedhur arbitrin salvadorian, Iván Barton, për të drejtuar gjysmëfinalen e Botërorit 2026 mes Francës dhe Spanjës, e cila do të zhvillohet të martën, në stadiumin “AT&T” të Arlingtonit. Për 35-vjeçarin kjo do të jetë paraqitja e katërt si gjyqtar kryesor në këtë edicion të Kupës së Botës, pasi më parë ka drejtuar ndeshjet Turqi–Paraguaj, Japoni–Suedi dhe Zvicër–Kolumbi.
Barton është tashmë arbitri nga Amerika Qendrore me më shumë ndeshje të gjykuara në historinë e Botërorit. Ai ishte pjesë edhe e Kupës së Botës “Katar 2022”, ndërsa gjatë karrierës së tij ka drejtuar mbi 300 takime zyrtare, ku ka treguar më shumë se 1.400 kartonë të verdhë dhe 86 kartonë të kuq.

Emri i tij u bë edhe më i njohur gjatë këtij Botërori, pasi ishte arbitri i parë që zbatoi rregullin e ri të FIFA-s, i quajtur “Ligji Vinicius”. Në ndeshjen Turqi–Paraguaj ai ndëshkoi me karton të kuq Miguel Almirón-in, pasi futbollisti mbuloi gojën gjatë komunikimit me një kundërshtar.
Ky rregull, i miratuar unanimisht nga FIFA në prill të vitit 2026, parashikon përjashtimin me karton të kuq të çdo lojtari që mbulon gojën gjatë bisedës me një kundërshtar në fushën e lojës, me synimin për të rritur transparencën dhe për të parandaluar sjelljet e papërshtatshme.
© SYRI.net