Deklaratat raciste të ish-kryeministrit spanjoll, polemika para Francë–Spanjë

Deklaratat raciste të ish-kryeministrit spanjoll, polemika para Francë–Spanjë

08:48, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një debat i fortë politik dhe sportiv ka shpërthyer në prag të gjysmëfinales së Botërorit 2026 Francë - Spanjë, pasi Ambasada e Francës në Argjentinë dënoi ashpër komentet e zëvendësguvernatores së provincës Mendoza, Hebe Casado, të cilat u cilësuan si raciste.

Pas ndeshjes së Francës ndaj Paraguait në fazën e 1/8-ave, Casado publikoi në rrjetin social X një mesazh ku shkruante: “Skuadër afrikane e paedukatë. Nuk e duroj dot Mbappe-në.”

Reagimi i Ambasadës franceze ishte i menjëhershëm. Ambasadori theksoi se të gjithë futbollistët e kombëtares janë shtetas francezë dhe se Republika Franceze e bazon shtetësinë te qytetaria, jo te ngjyra e lëkurës apo origjina e familjes.

“Kemi krenari për diversitetin tonë dhe nuk do të tolerojmë asnjë përpjekje për të denigruar apo vënë në dyshim kombësinë e lojtarëve tanë”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se është e papranueshme që emigracioni evropian të shihet pozitivisht, ndërsa ai afrikan të përdoret si fyerje.

Nga ana e saj, Hebe Casado u përpoq ta minimizonte incidentin, duke deklaruar se komenti i saj ishte pjesë e “folklorit të futbollit” dhe nuk kishte qëllime diskriminuese.

Polemikat nuk u ndalën me kaq. Në qendër të kritikave u gjend edhe ish-kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i cili e përshkroi Francën si “një skuadër të nivelit shumë të lartë, por pa francezë”. Deklarata e tij u cilësua si raciste dhe ksenofobe nga autoritetet franceze dhe spanjolle.

Ambasada e Francës në Madrid sqaroi se të gjithë lojtarët e kombëtares franceze janë shtetas francezë, duke theksuar se 23 nga 26 futbollistët e grumbulluar kanë lindur në Francë, ndërsa edhe tre të tjerët zotërojnë shtetësinë franceze.

Kryeministri aktual i Spanjës, Pedro Sánchez, reagoi gjithashtu ndaj deklaratave të Rajoy-t. “Spanja u përket atyre që e duan dhe punojnë për të, jo atyre që e turpërojnë me deklarata ksenofobe. Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë më i miri dhe le të humbasë racizmi”, u shpreh ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco