Ishujt Falkland sërish mollë sherri, polemika në Angli për këngën e argjentinasve

Ishujt Falkland sërish mollë sherri, polemika në Angli për këngën e argjentinasve

08:28, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Atmosfera para gjysmëfinales së Botërorit 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës është ndezur edhe jashtë fushës. Në Angli kanë shpërthyer polemika për një këngë që futbollistët argjentinas këndojnë në dhomat e zhveshjes, ku përmenden Ishujt Falkland (Malvinat), Diego Maradona dhe Lionel Messi.

Sipas mediave britanike, vargjet “Për Malvinat, për Diegon, për të fundit të Leos” janë interpretuar si një provokim ndaj Anglisë në prag të përballjes së madhe. “Argjentina nuk humbi kohë për të treguar përçmimin e saj para ndeshjes, duke kënduar sërish për Ishujt Falkland në dhomat e zhveshjes”, shkroi tabloidi britanik Daily Mirror.

Referenca lidhet me Luftën e Falklandeve të vitit 1982, konflikti mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për ishujt që Buenos Aires i konsideron territor të vetin, ndërsa administrohen nga Mbretëria e Bashkuar. Lufta shkaktoi qindra viktima dhe mbetet ende një temë shumë e ndjeshme për të dy vendet.

Në një pjesë tjetër të këngës, futbollistët argjentinas këndojnë: “E fituam Kupën e tretë me Lionelin, duam të bëhemi sërish kampionë. Pas 32 vitesh, ‘Scaloneta’ do të hakmerret për kupën e rrëmbyer nga Diego, atë që nuk na lanë ta ngrinim. Dua ta shoh yllin e katërt të shkëlqejë në fanellë.”

Kjo këngë shoqëron Argjentinën që nga fillimi i Botërorit 2026 dhe është frymëzuar nga kori i përdorur gjatë Kupës së Botës në Katar në vitin 2022, ku përmendeshin gjithashtu Malvinat. Sipas medieve angleze, kjo e ka bërë edhe më të tensionuar atmosferën përpara gjysmëfinales mes dy rivalëve historikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco