Është arritur marrëveshja totale mes Inter Miamit dhe mesfushorit brazilian Casemiro, i cili pritet të zyrtarizojë transferimin e tij në klubin nga Florida në ditët në vijim. Futbollisti 34-vjeçar, aktualisht i fokusuar te Kupa e Botës, do t’i bashkohet projektit ambicioz të MLS-së pasi të mbyllë angazhimet me përfaqësuesen e Brazilit.
Casemiro ka refuzuar oferta të rëndësishme nga Europa dhe Arabia Saudite, duke zgjedhur projektin amerikan dhe mundësinë për të luajtur përkrah Lionel Messit, një ëndërr që, sipas burimeve pranë lojtarit, ka qenë gjithmonë prioritet për të dhe familjen e tij.
Mesfushori pritet të përqendrohet fillimisht te ndeshja e Brazilit ndaj Norvegjisë në Botëror, ndërsa pas përfundimit të këtij takimi do të finalizojë edhe nënshkrimin e kontratës me Inter Miamin. Sipas planeve, ai mund të udhëtojë drejt SHBA-së në një moment kur edhe kombëtarja braziliane të jetë në Miami, në rast kualifikimi të mëtejshëm.
Për Casemiron, ky transferim nuk është vetëm një zgjedhje sportive, por edhe personale dhe familjare. Pavarësisht ofertave më të larta financiarisht nga disa klube europiane dhe nga Arabia Saudite, vendimi për t’u bashkuar me Inter Miami ka qenë gjithmonë opsioni i parë.
Nga ana tjetër, klubi amerikan po vazhdon të forcojë projektin e tij ambicioz, me synimin për të fituar për herë të dytë radhazi MLS Cup, një objektiv historik për një skuadër që deri në ardhjen e Lionel Messit nuk kishte fituar asnjë trofe të madh.
Me këtë lëvizje, Casemiro do t’i bashkohet një grupi elitar futbollistësh që kanë ndarë dhomën e zhveshjes me të dy legjendat, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, ku bëjnë pjesë emra si Gerard Piqué, Ángel Di María, Sergio Ramos dhe Gonzalo Higuaín.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: