Pak orë para ndeshjes së Portugalisë ndaj Kroacisë në Toronto, qarkulloi një lajm që bëri bujë. Katia Aveiro, motra e Cristiano Ronaldos, deklaroi se Botërori 2026 do të ishte turneu i fundit i CR7 me fanellën e Kombëtares së Portugalisë. Deklarata e saj erdhi vetëm pak minuta para sfidës vendimtare të fazës së 1/16-ve.
Megjithatë, pas fitores dramatike 2-1 të Portugalisë ndaj Kroacisë, Cristiano Ronaldo i hodhi poshtë këto pretendime gjatë konferencës për shtyp, duke lënë të kuptohet se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij në Kombëtare.
“E ardhmja e Cristiano Ronaldos nuk ka rëndësi tani. Do të flas për këtë më vonë. Do të kem kohë, pasi të fitojmë ose të humbasim, të bisedoj me familjen time dhe më pas do të marr vendimin më të mirë. Nuk marr më vendime nën ndikimin e emocioneve, tani çdo gjë e bëj me qetësi. Tani është koha të shijoj të tashmen”, deklaroi ai për Sport TV.
Ronaldo u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga FIFA, por ndryshe nga praktika e zakonshme, ai nuk dha intervista në zonën mikse, duke folur vetëm për televizionet që zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Duke komentuar suksesin ndaj Kroacisë, kapiteni portugez theksoi se skuadra tregoi karakter në një sfidë shumë të vështirë.
“Sot duhej të dinim të vuanim. Për të fituar një kompeticion të këtij niveli, duhet të dish të vuash. Ishte një ndeshje shumë interesante për tifozët. Në pjesën e parë e kontrolluam mjaft mirë lojën, ndërsa e dyta ishte më kaotike. Ata shënuan, ne u nervozuam disi, por momenti vendimtar nga ana emocionale ishte penalltia. Që nga ai çast, ndeshja u bë më e lehtë për ne. Ende kemi disa vështirësi, por kjo është bukuria e këtij kompeticioni dhe duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Ronaldo.
© SYRI.net