Spanja ka siguruar me autoritet kualifikimin në fazën e 1/8-ve të Kampionatit Botëror, pasi mposhti Austrinë me rezultatin bindës 3-0 në ndeshjen e vlefshme për 1/16-at.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente dominoi sfidën nga minuta e parë, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit. Goli i parë erdhi në minutën e 36-të, kur Mikel Oyarzabal shfrytëzoi një asist të Marc Cucurellas dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Në pjesën e dytë, Spanja vazhdoi të kontrollonte ritmin e lojës dhe gjeti edhe golin e dytë në minutën e 66-të.
Alex Baena dhuroi një krosim perfekt për Pedro Porron, i cili me kokë realizoi pa vështirësi për 2-0.
Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Oyarzabal vulosi suksesin e iberikëve me golin e tij të dytë personal në minutën e 89-të.
Sulmuesi spanjoll përfitoi nga një tjetër asist i Cucurellas dhe mposhti portierin Alexander Schlager për rezultatin përfundimtar 3-0.
Edhe pse Austria provoi të reagojë me aktivizimin e Marko Arnautovic dhe Sasa Kalajdzic, skuadra e Ralf Rangnick krijoi pak raste konkrete dhe nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën spanjolle.
Me këtë fitore të pastër dhe një paraqitje bindëse në të gjitha repartet, Spanja konfirmon statusin e një prej favoriteve të turneut dhe avancon me meritë në fazën e 1/8-ve, ndërsa aventura e Austrisë në Botëror mbyllet në raundin e 1/16-ve.
GOLAT
https://streamin.link/v/7515a5af
© SYRI.net