Një nga momentet më emocionuese të ndeshjes mes Portugalisë dhe Kroacisë në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026 ishte përqafimi mes Cristiano Ronaldos dhe Luka Modriçit, pas eliminimit dramatik të kroatëve.
Pamja e fundit e sfidës ishte ajo e Modriçit, me lot në sy, i rraskapitur fizikisht dhe emocionalisht pas humbjes që mund t'i ketë dhënë fund një epoke të jashtëzakonshme me fanellën e Kroacisë. Mesfushori legjendar e mbylli ndeshjen i ngushëlluar nga shokët e skuadrës dhe kundërshtarët, pas një karriere të jashtëzakonshme me pesë pjesëmarrje në Kupën e Botës dhe 202 ndeshje me Kombëtaren.
Mes të parëve që iu afruan për ta përqafuar ishte Cristiano Ronaldo, ish-shoku i tij i skuadrës te Real Madridi. Dy legjendat, që shkruan histori së bashku me klubin spanjoll, u përqafuan për një kohë të gjatë, ndërsa kamerat kapën Ronaldon duke i folur me zë të ulët mikut të tij.
Pas ndeshjes, kapiteni portugez zbuloi edhe fjalët që i kishte thënë Modriçit.
“Kam luajtur me Modriçin për shumë vite. Është e mrekullueshme ta shohësh ende duke konkurruar në një nivel kaq të lartë. I thashë: ‘Luka, urime për gjithçka. Të uroj më të mirat për pjesën tjetër të karrierës tënde’”, deklaroi Ronaldo.
Homazhet për kapitenin kroat nuk erdhën vetëm nga Ronaldo. Edhe medie prestigjioze ndërkombëtare si BBC dhe CBS i kushtuan postime dhe mesazhe vlerësuese në rrjetet sociale, duke nderuar një nga futbollistët më të mëdhenj të brezit të tij.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse kjo ishte ndeshja e fundit e Modriçit me fanellën e Kroacisë. I pyetur nga gazetarët për të ardhmen e tij me Kombëtaren, mesfushori nuk dha një përgjigje përfundimtare.
“Nuk është momenti për të folur për këtë. Do ta mësoni shumë shpejt”, u shpreh Modriçi, duke lënë të hapur çdo mundësi për vazhdimin ose mbylljen e karrierës së tij ndërkombëtare.
© SYRI.net