Skandali i eskortave të luksit në Milano po zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke përfshirë emra të njohur të futbollit italian dhe duke marrë përmasa të mëdha në opinionin publik.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Milanos, deri tani si i akuzuar për “prostitucion me të mitur” rezulton mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni.
Megjithatë, autoritetet po verifikojnë një rrjet më të gjerë personash të përfshirë në përgjime dhe komunikime që lidhen me këtë skemë.
Raportohet se Guardia di Finanza ka thirrur për sqarime edhe disa futbollistë të tjerë të njohur, të cilët nuk janë nën hetim si të pandehur, por si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e çështjes.
Ndër emrat që përmenden në dosje janë Riccardo Calafiori, mbrojtësi i Arsenalit dhe i kombëtares italiane, Kevin Bonifazi, ish-lojtar i Bolonjës, si dhe Daniel Maldini, sulmuesi i Lazios dhe djali i legjendës së futbollit italian Paolo Maldini.
Sipas burimeve hetimore, emrat e tyre figurojnë në disa mesazhe të sekuestruara gjatë hetimit për rrjetin e dyshuar të prostitucionit me klientelë të zgjedhur.
Autoritetet theksojnë se këta futbollistë nuk akuzohen për ndonjë vepër penale, por janë thirrur vetëm si persona në dijeni të fakteve për të ndihmuar hetimet.
Ndërkohë, në Itali vijon debat i gjerë mbi përmasat e skandalit dhe mënyrën se si ai mund të ndikojë në imazhin e futbollit dhe figurave publike të përfshira indirekt në dosje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: