Maroku ‘tremb’ Brazilin! Kalon grupin me 7 pikë pas një ndeshjeje të çmendur kundër Haitit

Maroku ‘tremb’ Brazilin! Kalon grupin me 7 pikë pas një ndeshjeje të çmendur kundër Haitit

08:25, 25/06/2026

Kombëtarja e Marokut ka mbyllur fazën e grupeve me një fitore dramatike 4-2 kundër Haitit, duke siguruar biletën për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Kjo sfidë, e treta dhe e fundit për Grupin C, dhuroi emocione të pafundme dhe vendosi përfundimisht fatet e të dyja kombëtareve. Me këtë triumf, “Luanët e Atlasit” grumbulluan 7 pikë në total, po aq sa Brazili kryesues i grupit, por e mbyllin fazën në vendin e dytë për shkak të golavarazhit më të dobët.

Ndeshja nisi me një skenar të paimagjinueshëm kur, në minutën e 10′, një autogol fatkeq i portierit maroken Yassine Bounou kaloi Haitin në avantazh. Ky ishte një moment historik, pasi Haiti arriti të gjejë rrugën e rrjetës në një Kampionat Botëror pas plot 52 vitesh pritje. Maroku reagoi me anë të Achraf Hakimit në minutën e 39′, por Wilson Isidor realizoi një gol fantastik për haitianët në të 43′, duke i rikthyer sërish në avantazh. Gjithsesi, gëzimi i tyre zgjati pak, pasi në shtesën e pjesës së parë, në minutën e 45’+1, Ismael Saibari vendosi ekuilibrat duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me barazimin 2-2.

Në pjesën e dytë, eksperienca dhe cilësia e afrikano-veriorëve doli në pah, teksa po kërkonin me ngulm kualifikimin. Ishte Soufiane Rahimi ai që në minutën e 78′ realizoi golin e tretë dhe të fitores, duke i dhënë Marokut një triumf të vuajtur, por të artë. Ndërkohë që si për të siguruar gjithçka deri në vërshëllimën e fundit mendoi Yassine me golin e tij në minutën e 89-të. Me këtë disfatë, Haiti i mbyll të tria ndeshjet e këtij Botërori me humbje, duke grumbulluar 0 pikë dhe duke u eliminuar zyrtarisht nga turneu. Pavarësisht daljes së hidhur, ata kthehen në shtëpi me kokën lart, pasi shkruan një faqe të re në historinë e tyre duke u rikthyer te goli pas më shumë se gjysmë shekulli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco