Brazili hyn në FIFA World Cup 2026 me një objektiv të qartë historik: fitimin e titullit të gjashtë botëror, i njohur si “O Hexa” (e gjashta), dhe përfundimin e një pritjeje që zgjat prej 24 vitesh.
Në krye të këtij projekti qëndron Carlo Ancelotti, i cili do të drejtojë për herë të parë Brazilin në një Botëror, duke u bërë një nga pak trajnerët e huaj në historinë e “Seleçaos”. Synimi është i qartë: rikthimi i Brazilit në majën e futbollit botëror.
Brazilianët do të garojnë në Grupin C së bashku me Marokun, Haitin dhe Skocinë, me ndeshjet që do të zhvillohen në SHBA.
Pavarësisht historisë së lavdishme, rruga drejt Botërorit nuk ka qenë e lehtë. Brazili e siguroi kualifikimin vetëm në momentet e fundit, duke regjistruar një bilanc jo karakteristik prej 8 fitoresh, 4 barazimesh dhe 6 humbjesh, çka solli edhe ndryshime të mëdha në pankinë para emërimit të Ancelottit.
Trajneri italian pritet të aplikojë një skemë 4-2-3-1 me theks ofensiv, duke shfrytëzuar krahët dhe cilësinë e madhe në sulm. Shtylla e mbrojtjes do të mbështetet te lojtarë me eksperiencë si Marquinhos dhe Gabriel Magalhães.
Në repartin ofensiv, Brazilit nuk i mungon aspak talenti. Emrat si Vinícius Júnior dhe Raphinha mbeten pikat kryesore të skuadrës, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Neymar-it, i cili pritet të luajë Botërorin e tij të fundit2.
Në listën e të grumbulluarve përfshihen edhe emra si Alisson Becker, Ederson, Casemiro dhe Bruno Guimarães, duke e bërë Brazilin një nga pretendentët kryesorë për titull.
Me një brez të pasur dhe një trajner me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare, Brazili synon të rikthejë lavdinë dhe të mbyllë një nga periudhat më të gjata pa trofe në historinë e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: