Arkadiusz Milik ka treguar momentet më të errëta të karrierës së tij, pas dy viteve të mbushura me dëmtime, rikthime të dështuara dhe vështirësi psikologjike te Juventusi.
Në një intervistë për podcastin polak “Kanal Sportowy”, sulmuesi 32-vjeçar pranoi se kishte arritur në pikën më të ulët emocionalisht.
“E kisha prekur vërtet fundin. Dikur futbolli ishte mënyra ime për t’u larguar nga çdo problem. Por papritur ndodhte që të shkoja në palestër, të stërvitesha dhe të shpërtheja në lot”, deklaroi Milik.
Sulmuesi polak tregoi se gjatë kësaj periudhe kërkoi edhe ndihmën e një psikologu.
“I thosha vetes: ‘Arek, a mendon vërtet se nuk mund t’ia dalësh vetëm?’. Por më pas kuptova se nuk po arrija. Nuk kanë qenë momente të bukura, megjithëse nuk do të thosha se bëhej fjalë për depresion”, shtoi ai.
Sezoni i fundit ishte jashtëzakonisht i vështirë për ish-lojtarin e Napolit, i cili luajti vetëm 34 minuta në dy ndeshje ndaj Sassuolos dhe Genoa-s.
Mungesa më e madhe për të ishte pamundësia për të përjetuar netët europiane me Juventusin.
“Ndihesha sikur isha një njeri i uritur që ecte në një rrugë plot restorante të shkëlqyera. Kështu ndihesha kur shihja shokët e skuadrës të luanin në Champions League, për shembull ndaj Real Madridit në ‘Santiago Bernabéu’”, u shpreh Milik.
Megjithatë, sulmuesi polak theksoi se tani ndihet më mirë fizikisht dhe mendërisht.
“Sot jam i buzëqeshur, i çlodhur dhe gati për të luajtur. Më vjen keq vetëm që sezoni me Juventusin sapo ka përfunduar”, tha ai.
E ardhmja e Milik-ut mbetet e paqartë, edhe pse mediet polake raportojnë për një rikthim të mundshëm te Górnik Zabrze, skuadër ku ai nisi karrierën. Megjithatë, vetë lojtari preferoi të mos fliste shumë për këtë mundësi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: