Allegri prish kontratën me Milanin, tani është gati të firmosë me Napolin

Allegri prish kontratën me Milanin, tani është gati të firmosë me Napolin

09:04, 03/06/2026

Massimiliano Allegri është shumë pranë rikthimit në pankinë dhe destinacioni i tij i ri pritet të jetë Napoli. Trajneri livornez ka arritur marrëveshje me Milanin për ndërprerjen e kontratës, e cila e lidhte ende me kuqezinjtë deri më 30 qershor 2027, duke i hapur kështu rrugën firmës me klubin napolitan.

Pengesa e fundit për kalimin e Allegrit te Napoli ishte pikërisht zgjidhja ekonomike me Milanin, klub që e kishte shkarkuar në fund të sezonit. Marrëveshja për prishjen konsensuale të kontratës pritet të përfshijë një dëmshpërblim prej rreth një milion eurosh bruto për trajnerin italian. Kjo zgjidhje u lejon të gjitha palëve të mbyllin çështjen pa konflikte ligjore: Milani heq një barrë të rëndësishme financiare, Allegri mbetet i lirë për të nisur aventurën e re, ndërsa Napoli mund të vazhdojë me formalizimin e marrëveshjes.

Klubi i Aurelio De Laurentiis-it e kishte zgjedhur Allegrin prej ditësh, por mungonte vetëm ndërprerja e kontratës me Milanin për ta kthyer marrëveshjen verbale në firmë zyrtare. Kontrata e re pritet të jetë dyvjeçare, deri në vitin 2028, me mundësi vazhdimi edhe më tej. Sipas raportimeve nga Italia, trajneri do të përfitojë rreth 4.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse të lidhura me rezultatet.

Napoli synon t’ia besojë rindërtimin teknik një trajneri me eksperiencë të madhe, i mësuar të menaxhojë presionin dhe skuadrat që synojnë trofe menjëherë.

Sinjali i parë konkret i epokës së re pritet të vijë më 3 qershor, kur Allegri do të zhvillojë një takim me drejtorin sportiv, Giovanni Manna, për të diskutuar strategjinë e merkatos. Në tryezë do të jenë përforcimet, largimet e mundshme dhe struktura e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Për Napolin, zgjidhja e kontratës së Allegrit me Milanin ishte hapi vendimtar për të nisur projektin e ri sportiv. Tashmë, përveç ndonjë surprize të madhe, gjithçka duket e vendosur: Allegri do të jetë trajneri i ri i Napolit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco