Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i publikuar nga legjenda e Liverpool-it, Kenny Dalglish, i cili ka bërë të ditur se po lufton me kancerin.
Ish-futbollisti dhe trajneri skocez e konfirmoi lajmin përmes rrjeteve sociale, pasi informacioni u bë publik gabimisht për shkak të një publikimi të paqëllimshëm. Dalglish shpjegoi se aktualisht po merr trajtim dhe se gjendja e tij po monitorohet nga stafi mjekësor.
“Siç u kuptua nga publikimi im i pavullnetshëm në rrjetet sociale, aktualisht jam duke marrë trajtim kundër kancerit. Ndryshe nga përdorimi im i telefonit, trajtimi po shkon mirë”, deklaroi ai me humor.
Dalglish pranoi se dëshira e tij ishte që kjo situatë të mbetej private, por vështirësitë me teknologjinë bënë që lajmi të dilte publikisht më herët nga sa kishte planifikuar.
“Do të kishte qenë më mirë që kjo të mbetej private, sepse kështu duhej të ishte, por aftësitë e mia të dobëta teknologjike më detyruan ta bëj publike”, shtoi legjenda skoceze.
Në fund të mesazhit të tij, Dalglish kërkoi respekt për privatësinë e familjes së tij gjatë kësaj periudhe të vështirë, ndërsa falënderoi stafin mjekësor për kujdesin dhe profesionalizmin.
“Falënderoj personelin e mrekullueshëm mjekësor që ka treguar kujdes dhe diskrecion të jashtëzakonshëm, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj shumë të tjerëve. Janë krenari për të gjithë”, përfundoi ai.
Kenny Dalglish konsiderohet një nga figurat më të mëdha në historinë e Liverpoolit dhe futbollit britanik, duke fituar trofe të shumtë si lojtar dhe trajner me klubin anglez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: