Boksieri shqiptar i peshave të rënda Kristian Prenga ka deklaruar me vetëbesim të madh se përballja ndaj ish-kampionit të botës, Anthony Joshua, nuk është thjesht një mundësi financiare, por një shans për të treguar veten në skenën më të madhe të boksit.
Prenga pritet të zbresë në ring në Riyadh, ku do të përballet me Joshuan në një duel që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Shqiptari ka theksuar se synon një surprizë të madhe, pavarësisht rolit të tij si autsajder.
“Kur më telefonoi menaxheri dhe më tha se kam një mundësi të madhe dhe do të luftoj me AJ, në fillim nuk e besoja. Por tani është momenti im,” është shprehur Prenga.
Ai ka shtuar se e respekton Joshua-n, por në ring gjithçka ndryshon: “E kam parë që në meçet e tij të para. Jam rritur duke e ndjekur, por tani mendoj se është koha ime. Dua t’i tregoj botës kush jam.”

Në kampin e Prengës besimi është i madh. Menaxheri i tij, Sammy Lushaj, madje ka deklaruar se në telefon e ka regjistruar boksierin si “The Champ”, duke theksuar përkushtimin dhe formën e tij të lartë në stërvitje.
Edhe agjenti i tij, Keith Sullivan, e sheh këtë duel si një mundësi të madhe për shqiptarin: “Ai është një boksier i rrezikshëm dhe vjen për të luftuar. Për Prengën kjo është një mundësi e madhe.”
Vetë Prenga ka theksuar se është përgatitur më shumë se kurrë dhe se identiteti i tij si luftëtar është më i fortë se çdo gjë tjetër.
“Jam stërvitur më shumë se kurrë, ndihem gati dhe do t’i tregoj botës kush jam. Nuk jam njeri i fjalëve, jam njeri i goditjes. Jam shqiptar,” tha ai.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Joshua-s, Prenga paralajmëroi një përballje të fortë: “Nëse të kap, nuk do të kesh ndier kurrë një grusht si i imi. Të respektoj, por në ring nuk kam respekt për askënd.”
Nga ana tjetër, Joshua e mirëpriti sfidën: “Më pëlqen kjo. Dua që të hysh në ring pa respekt dhe të bësh atë që mendon se di të bësh më mirë. Sepse përballë do të kesh dikë që mendon njësoj.”

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: