Barcelona do të jetë klubi me përfaqësimin më të madh nga pesë ligat kryesore evropiane në Botërorin 2026, duke konfirmuar statusin e saj si një nga akademitë dhe skuadrat më prodhuese në botë.
Sipas të dhënave të grumbulluara pas afrimit të fundit të anglezit Anthony Gordon, Barcelona do të ketë plot 16 futbollistë të thirrur nga kombëtaret e tyre për turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Me këtë shifër, klubi katalanas barazohet me Arsenalin, Bayernin dhe Manchester City-n, të cilët gjithashtu do të dërgojnë nga 16 lojtarë në Kupën e Botës.
Spanja është kombëtarja që përfiton më shumë nga “bërthama” e Barcelonës, me trajnerin Luis de la Fuente që ka ftuar plot 8 lojtarë të klubit katalanas: Lamine Yamal, Pedri, Pau Cubarsí, Dani Olmo, Ferran Torres, Joan García, Eric García dhe Gavi. Kjo e bën Barcelonën bazën kryesore të projektit të “La Roja”-s në synimin për një tjetër titull botëror.
Edhe Anglia përfiton dy lojtarë të Barcelonës, Anthony Gordon dhe Marcus Rashford, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve shpërndahet në disa kombëtare të mëdha: Brazil (Raphinha), Holandë(Frenkie de Jong), Francë (Jules Koundé), Uruguay (Ronald Araújo), Portugali (João Cancelo) dhe Egjipt (Hamza Abdelkarim).
Pas katër klubeve kryesore, Paris Saint-Germain renditet me 14 lojtarë të thirrur, ndërsa Atlético Madridi dhe Crystal Palace kanë nga 11, dhe Liverpooli ka 10.
Në vazhdim, Manchester United, Aston Villa dhe Milani kanë nga 9 lojtarë të grumbulluar për Botëror, ndërsa Olympique Marseille, Stuttgart dhe Sunderland mbyllin listën me nga 8 përfaqësues secili.
Në total, 16 lojtarët e Barcelonës përbëjnë shifrën e dytë më të lartë në historinë e klubit në një Botëror, pas rekordit prej 17 lojtarësh në Katar 2022.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: