Sir Alex Ferguson nuk i ka kursyer kritikat ndaj Arsenalit pas humbjes së londinezëve në finalen e Ligës së Kampioneve kundër PSG-së. Ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit ka komentuar mënyrën e lojës së skuadrës së Mikel Artetës, duke e konsideruar tepër mbrojtëse paraqitjen e tyre në sfidën e humbur me penallti.
Sipas medieve angleze dhe franceze, Ferguson i ka dërguar një mesazh presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ku ka përgëzuar klubin parisien për triumfin europian.
Burime pranë Qatar Sports Investments bëjnë të ditur se skocezi ka vlerësuar PSG-në me fjalët: “Ju ishit skuadra që luajti futboll”. Ndërkohë, “L’Equipe” raportoi se Ferguson e kishte cilësuar Arsenalin si “të mërzitshëm”, megjithëse kjo pjesë është mohuar nga burime të afërta me drejtuesit parizienë.

Statistikat e finales duket se mbështesin kritikat e Fergusonit. Arsenali mbajti vetëm 24.7 për qind të posedimit të topit, shifra më e ulët ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampioneve që prej nisjes së regjistrimit të statistikave. Gjithashtu, londinezët realizuan vetëm një goditje në portë gjatë gjithë ndeshjes, golin e Kai Havertz.
Mesfushori i PSG-së, Joao Neves, deklaroi pas finales se në fushë u pa vetëm një skuadër që kërkonte të luante futboll.
“E merituam këtë trofe. Ne krijuam raste, mbajtëm topin dhe luajtëm më mirë”, u shpreh portugezi.
PSG dominoi ndeshjen, ndërsa portieri Matvey Safonov pothuajse nuk u vu në provë, madje edhe gjatë penalltive, ku Eberechi Eze dhe Gabriel gabuan.
Për Fergusonin, disfata e Arsenalit duket se ka një shije të veçantë, duke pasur parasysh rivalitetin historik që ai kishte me Arsene Wengerin në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000. Përplasjet mes Manchester United dhe Arsenalit në atë periudhë mbeten ndër më të zjarrtat në historinë e Premier League.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: