E ardhmja e Ardon Jasharit te Milani mbetet e paqartë. Mesfushori zviceran, i cili u konsiderua si një nga investimet më të rëndësishme të drejtuesve kuqezi, mund të largohet gjatë merkatos së verës, ndërsa interesimi për të sa vjen e shtohet.
Jashari erdhi te Milani me shumë pritshmëri, në një operacion që i kushtoi klubit rreth 39 milionë euro. Drejtuesit e Milanit, me Igli Taren dhe Gerry Cardinalen në krye, besonin shumë te cilësitë e lojtarit të lindur në vitin 2002, por deri tani paraqitjet e tij nuk kanë qenë në nivelin e pritur.
Megjithatë, te Milani vazhdojnë të kenë besim te potenciali i mesfushorit. Klubi mendon se Jasharit i duhet ende kohë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin dhe kërkesat e futbollit italian.
Situata në mesfushën kuqezi mund të ndryshojë ndjeshëm gjatë verës. Luka Modriç mund të largohet, Adrien Rabiot mund të ndjekë Stefano Piolin në aventurën e tij të re, ndërsa edhe Samuele Ricci është një emër që mund të sakrifikohet në merkato. Pikërisht për këtë arsye, Milani dëshiron të ketë siguri në repartin e mesfushës dhe vazhdon të vlerësojë Jasharin.
Nga ana tjetër, ofertat nuk mungojnë. Për lojtarin ka interes nga Bundesliga, ndërsa edhe në Itali disa skuadra po ndjekin situatën e tij. Sipas raportimeve të fundit, Como ka kërkuar informacione për kushtet e një transferimi të mundshëm.
E ardhmja e Jasharit mbetet e hapur dhe pritet të jetë një nga çështjet që Milani do të duhet të zgjidhë gjatë kësaj vere.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: