Brazili ka dhënë sinjale shumë pozitive në prag të Kupës së Botës 2026, teksa triumfoi me rezultatin e thellë 6-2 ndaj Panamasë në miqësoren e zhvilluar në “Maracana”. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ançeloti dominoi sidomos në pjesën e dytë, duke dhuruar spektakël dhe shumë gola.
Tekniku italian vendosi të eksperimentonte në këtë sfidë, duke aktivizuar nga minuta e parë edhe dy “italianë” si Bremer dhe Wesley. Gjithashtu, besim morën edhe Aleks Sandro, Casemiro, Luiz Henrique dhe Cuna.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për “Seleçaon”, pasi Vinicius Junior realizoi që në minutën e parë. Sulmuesi i Realit ishte një nga protagonistët kryesorë të pjesës së parë, duke dhënë edhe asistin për golin e Casemiros në minutën e 38-të.
Panamaja arriti të barazonte përkohësisht shifrat pas autogolit të Cuna-s, ndërsa portieri Alisson bëri disa pritje vendimtare për të shmangur surprizat.
Në pjesën e dytë Brazili ndryshoi ritëm dhe shpërtheu totalisht. Ançeloti hodhi në fushë lojtarë të freskët si Ederson dhe Paqueta, ndërsa loja ofensivë e brazilianëve u bë edhe më e rrezikshme.
Ryan shënoi golin e tretë në minutën e 52-të, përpara se Paqueta të merrte vëmendjen me një paraqitje shumë të mirë dhe me golin e katërt të sfidës. Më pas në listën e realizuesve u futën edhe Igor Thiago me penallti dhe Danilo, duke vulosur goleadën 6-2.
Panamaja provoi të reagojë dhe gjeti golin e dytë me Harvey, por nuk mundi të shmangte humbjen e thellë ndaj një Brazili që dha sinjale të forta para Botërorit.
Tashmë Brazili do të përballet me Egjiptin në miqësoren e fundit përpara debutimit në Kupën e Botës, që do të zhvillohet në natën mes 13 dhe 14 qershorit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: