Lajmi i fundit

‘Korigjimi i padrejtësisë të lobuar nga Rama-Soros’/ Berisha: Mirënjohje administratës Trump dhe çdo demokrati shqiptar…

Duka e pranon: Do të më pëlqente që titullin ta fitonte Elbasani ose Vllaznia

Duka e pranon: Do të më pëlqente që titullin ta fitonte Elbasani ose Vllaznia

21:44, 31/05/2026

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli pas ceremonisë së titullit kampion të Egnatias, duke komentuar garën e fortë të këtij sezoni, formatin “Final Four” dhe triumfin e rrogozhinasve për të tretin vit radhazi.

Kreu i futbollit shqiptar e cilësoi kampionatin si shumë konkurrues deri në javën e fundit, teksa pranoi se personalisht do të kishte preferuar që trofeu të shkonte te një skuadër tjetër.

“Një kampionat i bukur dhe shumë kompetitiv deri në fund. Tri skuadra ishin në garë për titullin dhe në fund fati i buzëqeshi Egnatias, por edhe sepse e meritoi me atë që dha në fushë, sidomos në ‘Final Four’, ku i fitoi të tri ndeshjet”, deklaroi Duka.

Presidenti i FSHF-së tregoi edhe prapaskenat e organizimit të ceremonisë së titullit, duke zbuluar se fillimisht ishte menduar Tirana, por më pas gjithçka u zhvendos drejt Elbasanit.

“Në fillim ishte e vështirë të vendosnim mes Tiranës dhe Elbasanit, por rezultati i pjesës së parë në Elbasan na orientoi që ceremonia të zhvillohej atje. Kjo është bukuria e futbollit, emocioni dhe paparashikueshmëria deri në fund”, u shpreh ai.

Duka foli edhe për të ardhmen e formulës “Final Four”, duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve në sezonin e ardhshëm.

“Numri i skuadrave nuk mund të ndryshojë, do të mbeten 10 ekipe. Por formatin do ta rishohim. Mund të rikthehemi te ‘Final Four’ ose një variant tjetër. Kemi angazhuar edhe kompani të specializuara që kanë punuar me formatin e Champions League dhe do të marrim një vendim në fillim të qershorit”, tha presidenti i FSHF-së.

Ai pranoi gjithashtu se mungesa e Tiranës dhe Partizanit ndikoi te atmosfera në “Air Albania”.

“Tifozëritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë, ndërsa mungesa e Tiranës dhe Partizanit ndikoi në pjesëmarrjen e tifozëve dhe atmosferën në stadium”, theksoi Duka.

Në fund, kreu i FSHF-së habiti me deklaratën e tij për kampionen, duke pranuar se do të kishte dashur një fitues tjetër këtë sezon.

“Realisht do të më pëlqente të kishte më shumë shpërndarje të titujve. Do të kisha dëshirë që kampione të ishte Elbasani ose Vllaznia, që e presin prej shumë vitesh. Por futbolli vendoset në fushë dhe Egnatia tregoi se dha më shumë se të tjerët”, përfundoi Duka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco