Lajmi i fundit

‘Korigjimi i padrejtësisë të lobuar nga Rama-Soros’/ Berisha: Mirënjohje administratës Trump dhe çdo demokrati shqiptar…

Elbasani përmbys Vllazninë, por e dënon golaverazhi përballë Egnatias. Shkodranët dështim total në ‘Final Four’

Elbasani përmbys Vllazninë, por e dënon golaverazhi përballë Egnatias. Shkodranët dështim total në ‘Final Four’

21:07, 31/05/2026

AF Elbasani bëri detyrën në “Air Albania”, duke përmbysur Vllazninë me rezultatin 2-1, por fitorja nuk mjaftoi për të fituar titullin kampion. Verdheblutë u dënuan nga golaverazhi përballë Egnatias, që triumfoi 2-0 ndaj Dinamo City-t dhe u shpall kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi.

Nga ana tjetër, për Vllazninë “Final Four” rezultoi një dështim total. Shkodranët e mbyllën fazën finale me tri humbje në po aq ndeshje, duke zhgënjyer plotësisht tifozët e tyre në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

Ndeshja nisi mirë për kuqeblutë, që kaluan në avantazh në minutën e 48-të. Një kundërsulm perfekt i Vllaznisë nxori në pozicion ideal Bekim Balajn, ndërsa sulmuesi nuk gaboi përballë portierit të Elbasanit, duke dërguar topin në rrjetë për 1-0.

Megjithatë, reagimi i Elbasanit ishte i menjëhershëm. Në minutën e 51-të, Lajthia realizoi një supergol me të majtën, duke vendosur baraspeshën me një goditje spektakolare që la pa shanse portierin kundërshtar.

Verdheblutë vazhduan të besonin te përmbysja dhe gjetën golin e dytë në minutën e 64-t. Një kundërsulm vrastar i skuadrës elbasanase u shfrytëzua në maksimum pas gabimit të Krymit, i cili praktikisht i dhuroi topin Ibrahim Abasit. Ky i fundit nuk fali dhe dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Pavarësisht suksesit, Elbasani nuk arriti të festonte titullin, pasi triumfi i Egnatias në ndeshjen tjetër i la verdheblutë pas për shkak të golaverazhit. Në fund, festa ishte për rrogozhinasit, ndërsa Elbasani u detyrua të kënaqej vetëm me një fitore prestigji ndaj një Vllaznie që e mbylli sezonin në mënyrën më zhgënjyese të mundshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco