Manchester United ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së trajnerit Michael Carrick deri në vitin 2028, duke i besuar vazhdimësinë projektit të nisur në fillim të këtij viti.
Carrick u rikthye te “Djajtë e Kuq” në muajin janar dhe menjëherë arriti të sjellë një ndikim pozitiv, duke siguruar kualifikimin në UEFA Champions League. Në 16 ndeshje të drejtuara, ai ka regjistruar 11 fitore, një ecuri që ka bindur drejtuesit për t’i dhënë besim afatgjatë.
Rikthimi i tij në stol u shoqërua me rezultate të rëndësishme që në start, përfshirë fitore ndaj Manchester City-t dhe Arsenalit, duke i dhënë menjëherë vlerësim si “Trajneri i Muajit”.
Si futbollist, Carrick ka qenë një figurë historike për klubin, me 464 paraqitje dhe 11 trofe të fituar, përfshirë Premier League, FA Cup, Champions League dhe trofe të tjerë madhorë, duke lënë gjurmë të thella në historinë e klubit.
Në deklaratën pas rinovimit, Carrick u shpreh se ndien përgjegjësi dhe krenari të madhe për të drejtuar klubin, duke theksuar se skuadra aktuale ka treguar se mund të arrijë standardet e kërkuara dhe se synimi i tij është rikthimi i Manchester United në garën për trofetë më të mëdhenj.
“Manchester United dhe tifozët tanë meritojnë të luftojnë sërish për trofetë më të rëndësishëm”, u shpreh ai, duke konfirmuar ambicien për një epokë të re suksesi në “Old Trafford”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: