Kryetari i bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida, ka reaguar ashpër pas eliminimit të Atlético Madridit nga Arsenali në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, duke akuzuar drejtpërdrejt UEFA për ndikim në rezultatin e ndeshjes.
Almeida, i njohur si tifoz i zjarrtë i skuadrës “rojiblanco”, shprehu pakënaqësinë e tij për gjykimin në ndeshjen e zhvilluar në “Emirates”, duke sugjeruar se vendimet e arbitrave kanë penalizuar rëndë ekipin spanjoll.
“Kur pashë shortin, mendova se do të luanim kundër Arsenalit, por gabova: luajtëm kundër UEFA-s. Është e qartë se UEFA nuk donte që Atletico të ishte në finalen e Champions-it,” deklaroi ai para mediave.
Një nga çështjet kryesore që ngriti ishte caktimi i një arbitri gjerman për këtë përballje, në një moment kur Spanja dhe Gjermania rivalizojnë për vendet në kompeticionet evropiane. Sipas tij, kjo zgjedhje ishte e pakuptimtë dhe ndikoi në zhvillimin e ndeshjes.
Ai përmendi gjithashtu disa episode të diskutueshme, përfshirë një penallti të pretenduar ndaj Giuliano Simeone, për të cilën tha se nuk u analizua siç duhet. “Është e pashpjegueshme që nuk pati asnjë pamje të qartë për pozicionin jashtë loje. Nga pamjet që qarkulluan më pas, duket se nuk ishte offside dhe ishte penallti e pastër,” u shpreh Almeida.
Kritikat e tij vazhduan edhe për një tjetër episod me Antoine Griezmann, ku ai pretendon se arbitri gaboi në vendimmarrje, si dhe për kohën shtesë, që sipas tij tregoi një tendencë për ta përfunduar ndeshjen sa më shpejt.
Megjithatë, në fund Almeida shprehu krenarinë për ekipin e drejtuar nga Diego Simeone, duke theksuar se lojtarët luftuan fort: “Jemi krenarë për skuadrën, sepse nuk luajti vetëm kundër Arsenalit, por kundër UEFA-s. Ndaj Arsenalit mund të fitosh në dy ndeshje, por ndaj UEFA-s jo.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: