Manchester United është i vendosur të bëjë një lëvizje të madhe në merkato duke synuar me çdo kusht transferimin e Cole Palmer-it nga Chelsea, edhe pse operacioni pritet të kërkojë një shifër rekord për futbollin anglez.
Sipas raportimeve, drejtuesit e “djajve të kuq” janë të gatshëm të shkojnë deri në kufijtë financiarë për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit, i cili konsiderohet si një nga talentët më të rëndësishëm të futbollit anglez në vitet e fundit.
Palmer, megjithatë, pak kohë më parë i kishte mohuar zërat që e lidhnin me një rikthim te Manchester United, duke i cilësuar thashethemet si të pabaza. “Më vjen për të qeshur”, kishte deklaruar ai, duke lënë të kuptohej se nuk kishte plane për t’u larguar nga Chelsea.
Pavarësisht kësaj, interesimi i United nuk është zbehur. Klubi nga “Old Trafford” e sheh Palmer-in si një prioritet absolut dhe është i gatshëm të bëjë një ofertë që mund të thyejë rekorde në Premier League.
Nga ana tjetër, Chelsea e konsideron mesfushorin ofensiv një pjesë kyçe të projektit të saj, pavarësisht sezonit të vështirë dhe mungesës së rezultateve të qëndrueshme. Klubi londinez e ka nën kontratë deri në vitin 2033 dhe e vlerëson atë si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, së bashku me Moisés Caicedo-n.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Chelsea nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin për më pak se 150 milionë euro, duke e cilësuar atë praktikisht “të pashitshëm”, përveç nëse vjen një ofertë historike.
Në kampin e Manchester United besohet se fillimisht duhet bindur vetë lojtari për projektin sportiv. Në të kaluarën, raportohet se Palmer ka pasur ndjenja nostalgjie për qytetin e tij të lindjes, Manchesterin, por deklaratat e tij publike kanë qenë gjithmonë në favor të qëndrimit te Chelsea.
Megjithatë, negociatorët e përfshirë në operacion besojnë se gjithçka mbetet e hapur: nëse lojtari jep dritën jeshile, transferimi mund të realizohet, pavarësisht vështirësive financiare dhe sportive të marrëveshjes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: