Në një histori që duket më shumë si film sesa si realitet, portieri spanjoll, Ángel Mateos González, ka hyrë në librat e rekordeve duke u bërë futbollisti më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në një ndeshje zyrtare në Spanjë.
Në moshën 70-vjeçare, ai u aktivizua si titullar me klubin Colunga, skuadër e divizionit të pestë asturian, në ndeshjen ndaj Praviano-s, të zhvilluar më 3 maj. González qëndroi në fushë për rreth 20 minuta, ku arriti të bëjë edhe një pritje, përpara se të pësonte një gol dhe të largohej mes duartrokitjeve të publikut.
Pavarësisht moshës, kjo nuk ishte hera e parë që ai ishte i lidhur me futbollin. Karrierën e ka nisur që në moshën 10-vjeçare me Turón, ndërsa më pas ka luajtur në kategoritë më të ulëta të futbollit spanjoll deri në vitin 1998. Edhe pas tërheqjes nga futbolli profesionist, ai ka vijuar të luajë në turne amatore dhe këtë sezon është pjesë e stafit të Colunga-s si trajner i portierëve.
Jashtë fushës, González ka pasur një jetë po aq të fortë sa edhe në sport, duke punuar për 25 vite si minator, një profesion i vështirë që megjithatë nuk e ka larguar kurrë nga pasioni për futbollin.
Në një intervistë për “El Comercio”, ai ka kujtuar me nostalgji ndryshimet e mëdha të lojës ndër vite: “Kur fillova, ishte një sport krejt tjetër. Topat, fushat… shpesh vendosnim edhe një kovë pranë portës për të hequr ujin dhe baltën pas shiut”.
Nga ana e saj, klubi Colunga ka sqaruar se rikthimi i tij në fushë nuk ka qenë një gjest simbolik, por një zgjedhje e merituar: “Nuk kërkojmë tituj mediatikë. Ángel luan sepse e ka merituar, jo sepse është 70 vjeç”.
Klubi thekson se González përfaqëson vlerat kryesore të skuadrës: përkushtimin, pasionin dhe respektin për futbollin, duke treguar se mosha, në disa raste, është thjesht një numër.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: