Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka hyrë në historinë e klubit zikaltër duke fituar titullin kampion në sezonin e tij të parë në stol. Një sukses i jashtëzakonshëm për teknikun rumun, i cili në fillim të aventurës së tij u përball me shumë dyshime, sidomos pas largimit të një trajneri me përvojë si Simone Inzaghi.
Megjithatë, Chivu arriti të përmbyste çdo parashikim, duke ringritur një skuadër që dukej në rënie dhe duke e çuar drejt një titulli të merituar. Ai u bë kështu ish-lojtari i dytë i Interit që fiton kampionatin si trajner pas plot 88 vitesh.
“Ia kam dalë të jem pjesë e historisë së Interit? Ndoshta kam qenë edhe më parë, diçka kam fituar (qesh)”, u shpreh Chivu. Ai theksoi se merita kryesore u takon lojtarëve, të cilët kanë përballuar zhgënjimin dhe kritikat e vazhdueshme: “Këta djem kanë duruar shumë, nga narrativa e sezonit të kaluar te talljet e atyre që përpiqen gjithmonë ta nënvlerësojnë këtë skuadër. Kjo është një faqe e rëndësishme për këtë klub gjigant”.
Momenti kyç i sezonit, sipas tij, erdhi kur Interi regjistroi 14 fitore në 15 ndeshje: “Aty e kuptuam se mund ta fitonim titullin. Kemi kaluar momente të vështira, si eliminimi nga Liga e Kampioneve ndaj Bodo/Glimt apo humbja në derbi, por kemi qëndruar gjithmonë në këmbë dhe konkurrues”.
Megjithëse festa është e merituar, Chivu mbetet i fokusuar: objektivi i radhës është finalja e Kupës së Italisë. Në konferencë për shtyp, ai vlerësoi edhe stafin e tij, duke përmendur veçanërisht Aleksandar Kolarov: “Ne besojmë te ky projekt. Donim ta fitonim titullin duke luajtur mirë dhe mendoj se ia kemi dalë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: