Botërori 2026 pritet të sjellë një risi të madhe në rregullat e lojës, me FIFA-n që po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në menaxhimin e kartonëve të verdhë.
Turneu, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026, do të jetë më i madhi në histori me 48 ekipe pjesëmarrëse.
Sipas raportimeve, FIFA planifikon të aplikojë një “amnisti” të dyfishtë për kartonët e verdhë.
Fillimisht, të gjithë kartonët e akumuluar do të fshihen pas përfundimit të fazës së grupeve, ndërsa një tjetër risi do të ndodhë pas çerekfinaleve.
Ky ndryshim vjen si pasojë e formatit të ri të turneut, i cili tashmë përfshin edhe fazën e 1/16-tës.
Me më shumë ndeshje në program, rritet ndjeshëm edhe rreziku që lojtarët kyç të humbasin përballje vendimtare për shkak të pezullimeve.
Aktualisht, dy kartonë të verdhë në pesë ndeshje çojnë automatikisht në një pezullim, por me sistemin e ri, FIFA synon të shmangë mungesat e mëdha në fazat finale.
Kjo do të thotë se një lojtar do të duhet të marrë kartonë në disa faza të ndryshme për të rrezikuar mungesën në ndeshje kyçe.
Ideja është që drejtësia sportive të ruhet, pa penalizuar skuadrat në momentet më të rëndësishme të kompeticionit.
Në vend që të rritet numri i kartonëve të nevojshëm për pezullim, FIFA po mendon se “fshirja” e tyre në faza të caktuara është një zgjidhje më e balancuar.
Propozimi pritet të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s, ku do të merret një vendim përfundimtar mbi këtë ndryshim potencialisht historik për futbollin botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: