Xhonatan Lajthia ishte vendimtar në fitoren 3-1 të Elbasanit ndaj Vllaznisë, duke shënuar dy gola dhe duke ndihmuar skuadrën të mbajë kreun e renditjes. Sulmuesi u shpreh i lumtur për paraqitjen dhe për reagimin e ekipit pas një periudhe jo shumë të lehtë.
“Ishte një ndeshje shumë e bukur. I falënderoj tifozët dhe qytetarët e Elbasanit, sepse në të vërtetë ata jetojnë për futbollin. Falënderoj shokët e ekipit dhe stafin për besimin që kanë pasur gjithmonë tek ne”, tha ai.
Lajthia theksoi rëndësinë e vazhdimësisë në kampionat: “Kjo ishte një ndeshje që na katapulton më sipër dhe duhet të vazhdojmë ta mbajmë ritmin. Bateritë nuk shuhen kurrë, janë gjithmonë në karikim”.
Ai pranoi edhe momentet e vështira personale: “Ka ndeshje kur nuk je në ditë të mirë. Ka ditë që janë ‘jo’ për një futbollist, por e bukura është të gjesh forca dhe të ringrihesh aty kur je pak keq”.
Duke folur për mënyrën e lojës, sulmuesi tregoi se skuadra kishte përgatitje të shumëfishtë taktike: “E kishim përgatitur ndeshjen për presion të lartë, për bllok të mesëm dhe për bllok të ulët. Na doli pozitive dhe e saktë”.
Në fund, ai vlerësoi edhe forcën e kundërsulmit të ekipit: “Kemi kundërsulm shumë të mirë, sepse kemi lojtarë të shpejtë dhe cilësitë e duhura për të ndëshkuar çdo kundërshtar”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: