Erald Maksuti ishte protagonist absolut në fitoren 3-1 të Flamurtarit ndaj Dinamos, duke realizuar tre gola dhe duke çuar në 11 numrin e tij në kampionat. Sulmuesi foli pas ndeshjes për formën e mirë dhe motivimin që e shtyn përpara.
“Të them të drejtën, do ta mbaj topin, meqë është i pari. Si trofe janë bërë disa, kështu që topin do ta mbaj”, tha ai me humor pas ‘tripletës’ së tij.
Maksuti pranoi se nuk e kishte parashikuar një ecuri të tillë: “Nuk e mendoja se do shënoja kaq shumë gola. Jam duke konkurruar me një shkodran tjetër dhe motivohem shumë nga ai. Bekim Balaj është legjendë e futbollit shqiptar dhe fakti që jam afër tij më motivon edhe më shumë”.
Duke folur për ecurinë e Flamurtarit, ai theksoi besimin në skuadër: “Duket sikur jemi zgjuar vonë, por kemi ende shpresë. Do marrim çdo ndeshje një nga një dhe do japim maksimumin”.
Sulmuesi komentoi edhe një moment pas ndeshjes me topin: “Top pa autografe? Ndodhi shumë shpejt, disa lojtarë ishin në dush, u larguan shpejt. Nesër do t’i plotësojmë autografet”.
Në fund, Maksuti u shpreh optimist për vazhdimësinë: “Shpresa vdes e fundit. Te ne atmosfera është shumë pozitive, të gjithë kemi besim se do ta rikthejmë situatën në favorin tonë. Ka ende ndeshje dhe besoj se do t’ia dalim”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: