Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka vlerësuar fitoren 3-1 ndaj Vllaznisë, duke theksuar se skuadra e tij i ka merituar si tri pikët ashtu edhe kreun e renditjes. Ai foli për emocionet e ndeshjes dhe për garën e hapur deri në fund të sezonit.
“Emocione? Ky vit nuk ishte vetëm sot. Një ndeshje e bukur për ne, me shumë emocione. Tani kur jemi afër fundit, çdo ndeshje ka një tjetër frymëmarrje brenda fushës”, tha ai, duke shtuar edhe vlerësimin për atmosferën: “Dua të falënderoj tifozët, ishte një atmosferë fantastike, rreth 7-8 mijë tifozë”.
Gvozdenoviç u ndal edhe te situata në renditje: “Jemi më të qetë, kemi dy pikë më shumë, por nuk vendoset asgjë. Kemi ‘Final 4’ dhe është gjithçka e hapur. Por psikologjikisht jemi më të fortë”.
Duke analizuar ndeshjen, ai vlerësoi ekuilibrin e skuadrës: “Ishim shumë mirë në mbrojtje dhe afër topit të dytë. Djemtë e meritonin fitoren sot”.
Për garën e titullit, ai theksoi hapjen totale të saj: “Nuk kemi presion, kemi qenë vazhdimisht këtu lart. Nuk mund të them sa shanse kemi ne apo të tjerët, duhet të presim”.
Sa i përket kalendarit të ngjeshur, Gvozdenoviç ishte i prerë: “Kalendari nuk është bonus. Kampionati shqiptar është shumë i fortë. Është vështirësi, jo lehtësi, sepse të gjitha skuadrat luftojnë për pikë deri në fund”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: