Ilir Daja foli pas humbjes 3-1 të Dinamos ndaj Flamurtarit, duke e cilësuar si një rezultat të pazakontë për skuadrën këtë sezon. Ai u ndal te gabimet në mbrojtje, ngarkesa fizike dhe menaxhimi i ndeshjes.
“Më vjen keq që kemi marrë gola që mund t’i kishim evituar. Sidomos goli i parë, që erdhi nga një krosim i thjeshtë dhe nuk ishte i fortë. Mbrojtësit duhet të merrnin në markim Maksutin sepse ishte brenda zonës”, tha Daja, duke theksuar mungesën e kujdesit në prapavijë.
Ai shtoi se skuadra u ndëshkua sërish në situata standarde: “Më vjen keq se marrim gol nga goditjet standarde në qendër, ku ne zakonisht jemi të fortë në ajër”.
Duke analizuar ndeshjen, ai vlerësoi pjesën e parë, por jo vazhdimësinë: “Besoj se kemi bërë një pjesë të parë të mirë dhe të kontrolluar. Mund ta çonim rezultatin me dy gola diferencë, që do na jepte qetësi”.
Daja e lidhi rënien e skuadrës me ngarkesën: “Para katër ditësh luajtëm gjysmëfinalen. Lojtarët në pjesën e dytë kishin pak energji në këmbë”.
Pas pësimit të golit të dytë, ai tha se ekuilibrat u prishën: “Pastaj luanim gjithçka për gjithçka dhe lamë shumë hapësira prapa”.
Në fund, ai preku edhe arbitrazhin: “Nuk është se ndikoi arbitri te rezultati, por në një ndeshje të tillë duhet një arbitër më me eksperiencë dhe më me prezencë në fushë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: