Flamurtari ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-1 ndaj Dinamos në një sfidë që ndez edhe më shumë garën për mbijetesë në kampionat, ku tashmë janë përfshirë pesë skuadra. Me këtë humbje, Dinamo mbetet me pikë të barabarta me Partizani.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh në minutën e 6-të, kur Koma shfrytëzoi një asist të Vilës për të tundur rrjetën. Flamurtari reagoi shpejt dhe në minutën e 18-të barazoi me Maksutin, i cili u tregua i saktë përpara portës.
Vlonjatët vazhduan të kërkonin golin e përmbysjes, ndërsa Dinamo pati disa tentativa nga distanca me Qefalinë dhe Qardakun, por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Në pjesën e dytë, Flamurtari u shfaq më kërkues dhe arriti përmbysjen në minutën e 55-të, sërish me Maksutin, që realizoi me kokë për 2-1. Dinamo tentoi të reagonte me raste nga Bregu dhe të tjerë, por mungoi konkretizimi.
Goditjen përfundimtare e dha përsëri Maksuti në minutën e 73-të, duke kompletuar ‘tripletën’ personale dhe vulosur rezultatin 3-1 për vendasit. Në minutat e mbetura pati disa ndryshime dhe kartonë të verdhë, por rezultati nuk ndryshoi.
Kjo fitore i jep oksigjen Flamurtarit në luftën për mbijetesë, ndërsa Dinamo futet në një situatë më të ndërlikuar, me garën që bëhet gjithnjë e më e ashpër në javët e fundit të sezonit.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: