Real Madridi po përgatitet për një ndryshim të madh në pankinë, ndërsa kërkimi për trajnerin e ri ka hyrë në një fazë vendimtare. Gara duket se është ngushtuar te dy emra të mëdhenj të futbollit europian: José Mourinho dhe Jürgen Klopp.
Opsioni i brendshëm, Álvaro Arbeloa, nuk ka arritur të bindë plotësisht drejtuesit për të vazhduar në krye të skuadrës. Edhe pse ai ka respektuar filozofinë dhe udhëzimet e klubit në menaxhimin e ekipit, drejtuesit madrilenë kërkojnë një profil më të fortë dhe me eksperiencë të madhe, për të rikthyer në majë një skuadër të mbushur me ‘yje’, por që ka zhgënjyer në aspektin kolektiv.
Mourinho mbetet një kandidat serioz për rikthim në “Santiago Bernabéu Stadium”. Portugezi gëzon marrëdhënie të mira me presidentin Florentino Pérez dhe është i gatshëm të ndjekë shembullin e trajnerëve si Zinedine Zidane dhe Carlo Ancelotti, që janë rikthyer me sukses në klub. Megjithatë, rikthimi i tij vazhdon të ndajë opinionin e tifozëve, për shkak të kujtimeve të përziera nga periudha e parë.
Nga ana tjetër, Klopp aktualisht është i angazhuar në një projekt me Red Bullin si drejtor futbolli. Edhe pse ai ka shprehur disa hezitime për t’u rikthyer menjëherë në pankinë, sidomos në një ambient kaq kërkues si ai i Realit, emri i tij mbetet ndër më të preferuarit.
Në listën e kandidatëve figurojnë edhe trajnerë të tjerë të njohur si Didier Deschamps, Massimiliano Allegri dhe Mauricio Pochettino. Ndërkohë, përmenden gjithashtu alternativa si Unai Emery apo Lionel Scaloni.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Pérez, por për momentin, Mourinho dhe Klopp duken në avantazh në këtë “ankand” gjigantësh për pankinën e Real Madridit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: