Një ngjarje e rëndë ka tronditur klubin gjerman FC Schalke 04, pasi një burrë është gjetur i pajetë në ambientet e stadiumit “Veltins-Arena”.
Sipas autoriteteve, trupi i 65-vjeçarit u zbulua të enjten në mbrëmje nga një punonjës pastrimi gjatë turnit të tij të punës, në tualetet e stadiumit. Viktima kishte marrë pjesë në një aktivitet të zhvilluar një natë më parë në impiant dhe dyshohet se ka pësuar një atak fatal gjatë kohës që ndodhej në tualet, pa arritur të kthehej më në sallë.
Hetimet paraprake tregojnë se nuk ka shenja të ndonjë krimi, ndërsa vdekja dyshohet të ketë ardhur nga shkaqe natyrale. Burri, me origjinë nga Gelsenkirchen, nuk është raportuar i zhdukur menjëherë, çka ka bërë që ngjarja të zbulohet vetëm pas më shumë se një dite.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit, ndërsa klubi Schalke ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të tifozit të tyre. Ngjarja ka shkaktuar tronditje në ambientin sportiv lokal, duke lënë një hije të rëndë mbi stadiumin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: