Chelsea siguroi një vend në finalen e FA Cup, pasi mposhti 1-0 Leeds United në gjysmëfinalen e zhvilluar në Wembley. Heroi i ndeshjes ishte Enzo Fernández, i cili realizoi golin vendimtar në pjesën e parë.
“Blutë” hynë në këtë sfidë pa trajner, pas shkarkimit të Liam Rosenior vetëm pak ditë më parë, me Calum McFarlane në rolin e përkohshëm. Megjithatë, skuadra londineze tregoi reagim pozitiv që në fillim, edhe pse rasti i parë i rrezikshëm i takoi Leeds-it, me portierin Robert Sánchez që ndali Brenden Aaronson në një situatë ballë për ballë.
Chelsea iu afrua golit me João Pedron, i cili goditi shtyllën, ndërsa në minutën e 23-të erdhi momenti vendimtar. Pas një krosimi të Pedro Neto-s, Fernández shënoi me kokë, duke u dhënë avantazhin londinezëve.
Në pjesën e dytë, Leeds reagoi dhe iu afrua barazimit me Anton Stach dhe Dominic Calvert-Lewin, por Sánchez ishte i pakalueshëm. Pavarësisht presionit, rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë sukses, Chelsea kualifikohet në finalen e 13-të në 16 gjysmëfinalet e fundit të FA Cup dhe do të përballet me Manchester City-n për trofeun më 16 maj. Nga ana tjetër, Leeds vazhdon të presë rikthimin në një finale të këtij kompeticioni, që mungon që nga viti 1973.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: